Nesër starton finalja e madhe e “Top Fest 8” dhe ajo që duam të dimë paraprakisht janë emrat e finalistëve dhe të ftuarit. Dorian Gjoni jua shuan kuriozitetin.
Tashmë janë përzgjedhur 16 këngët finaliste, si u bë përzgjedhja, cilët janë finalistët?
Top Fest ka një strukturë të ngritur prej vitesh, ku vlerësimi për kandidatët e çmimeve fituese dhe atyre që do të performojnë në natën finale të këtij eventi, zgjidhen nga bordi artistik. Jemi munduar të zgjedhim ndërmjet këngëve më të mira të këtij edicioni, duke u bazuar në formatin e kategorive konkurruese për çmimet e ndryshme dhe duke tentuar të sjellim një shpërndarje sa më të mirë të stileve dhe artistëve pjesëmarrës në këtë edicion, me qëllimin e arritjes së një niveli sa më të lartë në prezantimin e natës përmbyllëse të këtij eventi, i cili këtë sezon ishte relativisht i gjatë. Ndër këngëtaret që do të jenë në natën finale mund të përmend: Anjeza Shahini ft Dren Abazi, Flori Mumajesi, Flaka Krelani, Elvana Gjata, Xhensila Myrtezaj, Eugent Bushpepa, Anxhelina Hadergjonaj etj.
Në këtë përzgjedhje të 33 gjysmëfinalistëve, afërsisht gjysma e këngëtarëve nuk janë përfshire në finale. Ishte e vështirë për të vendosur 16 këngët më të mira?
Të gjitha këngët pjesëmarrëse në këtë edicion kanë pasur bukurinë dhe vlerat e tyre. Në të njëjtën kohë, ky event i
lançon këngët në një frekuence të konsiderueshme, duke i bërë shumë të afërta për publikun dhe, duke u nisur nga ky këndvështrim, vështirësia e përzgjedhjes së finalistëve është e madhe. Gjithsesi, jemi munduar të jemi korrektë në gjykimin dhe në përzgjedhjen e këngëve, duke planifikuar një finale, e cila do të duhet të sjellë emocione të mëdha tek shikuesi.
Cilët janë emrat e jurisë, çfarë mund të zbulohet deri tani?
Juria e “Top Fest 8” do të jenë Elton Deda, Gent Rushi, Juliana Pasha etj. Juria i merr vendimet në marrëdhënie të ngushtë me bordin artistik për çmimet sipas kategorive dhe, për çmimin e madh, juria dhe bordi artistik bashkëveprojnë me votimin që ka dhe publiku, duke sjellë edhe fituesin e çmimit të madh.
Është vënë re që shumë këngë në këtë edicion të “Top Fest” kanë qenë krijime dedikuese të këngëtarëve për njerëz nga jeta e tyre. Është kjo një risi?
Ka shumë mundësi që artistët shqiptarë të jenë duke kaluar një etapë psikologjike dhe emocionale të ngarkuar. Kjo vihet re në prurjet e këtij edicioni, ku baladat kanë qenë në një numër shumë të madh. Në të njëjtën kohë, kjo tregon edhe një pjekuri psikologjike apo një rritje të nivelit të mendimit, për sa u përket tematikave të shprehjes së fjalës në tekstet e këngëve e deri tek krijimtaria muzikore. E shikoj shumë pozitive këtë tendencë, por mendoj që kjo fazë do të
kalojë shumë shpejt, pasi artistët shqiptarë janë të prirë të afrohen më shpejtësi ndaj rrymave muzikore bashkëkohore.
Do të këtë ndryshime në çmimet që do të ndahen, do të ketë çmime të reja apo ndryshime në çmimin e madh?
Do të ketë ndryshime në formulimin e disa çmimeve, por këto ndryshime nuk do të jenë esenciale. Edhe në çmimin e madh do të ketë ndryshime.
Për sa i përket prezantimit, kush prezanton, si do të bëhet prezantimi i festivalit dhe cilët do të jenë disa nga personazhet e njohura që do të dorëzojnë kupa për këngëtarët?
Prezantimi i festivalit do të bëhet nga Ledion Liço, i shoqëruar nga Marina dhe Luana. Do të jenë shumë të ftuar VIP, të cilët do marrin pjesë në ndarjen e çmimeve të këtij edicioni, si: Zana Krasniqi, Blerim Destani, Aleksandër Gjoka, Nik Xhelilaj, Oni Pustina etj.
Nisur nga kjo maratonë me 128 këngë, çfarë të rejash u pikasën në muzikën moderne shqiptare? Sipas jush, a ekziston hendek midis këngëtarëve të njohur dhe panjohur?
Mund të them që muzika moderne shqiptare është ende në fazat e saj të para dhe do të duhet edhe pak kohë që ajo të arrijë pjekurinë e duhur. Sigurisht që ky edicion na njohu nga afër me ritmin aktual të artistëve shqiptarë, të cilët po tregojnë që po ecin me shpejtësi në plotësimin e tyre profesional dhe emocional
dhe përballja e tyre me sistemin e të kënduarit live na surprizoi përsëri. Sa i përket hendekut mes artistëve të rinj dhe atyre të njohur, mendoj që nuk ekziston një i tillë, por gjithsesi përvoja ka të mirat e veta, duke sjellë një qëndrueshmëri në përballjen me sfidën e konkurrimit.
Ndërkohë që një festival dikton edhe rrymën tendencë, ky vit cilës rrymë muzikore i dedikohet?
Këtë vit kanë qenë baladat ato që kanë pasur një prurje shumë të madhe. Sa i përket tendencës apo stilit i cili mund të ndikojë në prodhimet e ardhshme në tregun muzikor, mund të veçoj ritmet House në kooperim me motive muzikore folklorike. Mendoj që edhe ky edicion do të sjellë emocione të bukura tek shikuesit e, sidomos te artistët, të cilët do të prekin edhe një herë nga afër skenën gjigante të plotësuar nga orkestra e madhe e “Top-Channel” e cila do të luajë live. Artistët do të shoqërohen nga një skenografi tepër moderne, nga efekte dhe ngjyra shumë speciale, duke mos harruar që regjia televizive dhe cilësia e audios në këtë edicion do të sjellin risinë e radhës për evente të këtij lloji në vendin tonë.











