Dorëzohet Bollano, Himarën e fiton kandidati i PS-së

May 10, 2011 | 9:44

Vasil Bollano humb Bashkinë e Himarës. Kandidati i Partisë Socialiste, Gjergji Goro, fitoi me një diferencë të lehtë votash në përballjen e tij të dytë me kandidatin e PBDNJ-së, Vasil Bollano.Ky i fundit fitoi zgjedhjet vendore të 2003-shit, ndaj rivalit të asaj kohe, Gjergji Goro. Por ai humbi në përballjen e tij të dytë me Goron, duke shënuar kështu një përmbyllje që nuk pritej, në një nga zonat të konsideruara si nga më të nxehtat në vend për shkak të incidenteve të ndodhura në çdo proces zgjedhor, siç është Himara. Ndryshe nga sa pritej, këtë vit nuk u shënua asnjë incident. Bollano kishte marrë të gjitha masat për të fituar mandatin e tretë të tij. Dhjetëra autobusë me emigrantë nga Greqia erdhën në ditën e zgjedhjeve në mënyrë të organizuar, ndërsa bashkë me Bollanon u panë edhe deputetë grekë. Njëri prej tyre ishte ultranacionalisti Harallamb Karathano, një ish-deputet i shquar për pozicionin e tij antishqiptar dhe në mbrojtje të çështjes Vorio-epiriote. Por zgjedhjet vendore të 8 majit shënuan një surprizë për Himarën, pasi Bollano nuk arriti të merrte mandatin e tij të tretë. Shpallja e rezultatit, ku Bollano mori 1474 vota, ndërsa rivali i tij, Gjergji Goro, 1575 vota, nuk sollën as manifestime të mëdha festive e as ndonjë incident ndërmjet militantësh. Himara u gdhi e qetë. Fituesit festuan në ambientet publike së bashku me kryebashkiakun e ri.
Pas disa momenteve feste, brohoritjesh dhe manifestimesh në rrugët e Himarës më flamuj në duar, gjithçka i është kthyer një ritmi normal. Të gjitha njësitë tregtare dhe ato publike, përveç Bashkisë, kanë qenë në funksion. Himariotët vijuan punën normalisht si çdo ditë tjetër, madje mjaft prej tyre i kanë qëndruar indiferentë rezultatit.
Bollano nuk ishte dje në Himarë. Që në mbrëmjen e 8 majit ai ndodhej pranë KZAZ-së përkatëse, në Vlorë, ku u krye numërimi i votave. Pasi ka marrë konfirmimin e humbjes, mësohet se ai nuk ka shfaqur kontestime, ndërsa ende nuk është shfaqur në qytetin e Himarës, ku mijëra simpatizantë të tij i kanë dhënë mbështetjen në të tri mandatet. Fitorja e kandidatit të PS-së solli dje edhe reagimin e Aleancës Kuq e Zi. Nëpërmjet një deklarate thuhej se në Himarë është votuar për herë të parë shqip, ndërsa i uruan fitoren Gjergji Goros. Sipas Policisë, në Himarë nuk janë shënuar incidente gjatë festimeve të palës fituese. Një fakt tjetër, për sa i përket zgjedhjeve në Himarë, ka të bëjë me këshilltarët bashkiakë, ku PBDNJ-ja ka marrë shumicën. Pavarësisht shumicës së votave që i kanë dhënë kandidatit socialist, himariotët kanë preferuar që të kenë pjesën më të madhe të votave në Këshillin Bashkiak.

Goro: Bollano më uroi për fitoren me sms

Kryebashkiaku i ri i Himarës, Gjergji Goro, falënderoi votuesit e tij si dhe të gjithë banorët e Himarës që i dhënë besimin. Ai ka premtuar se do të jetë pranë të gjitha problemeve të tyre dhe do të punojë me përkushtim për të justifikuar votën që i besuan. “E prisja këtë fitore. Ishte një rezultat që unë e kisha parashikuar dhe isha i qetë, veçanërisht në kutinë e fundit ku numëroheshin 100 vota”, u shpreh Goro, dje pas shpalljes së fitores së tij. Mësohet se në procesin e numërimit të kutisë së fundit, që i përkiste një qendre votimi në qytetin e Himarës, ai e ka ndjekur bashkë me Bollanon. Por nuk konfirmohet reagimi i këtij të fundit, në momentin kur komisionerët kanë shpallur fitues kandidatin tjetër për kryetar bashkie. Gjithsesi, Goro ka deklaruar se Vasil Bollano e ka uruar atë nëpërmjet një mesazhi telefonik. Në zgjedhjet vendore të 8 majit, në Bashkinë e Himarës kandiduan katër emra, Gjergji Goro(PS), Vasil Bollano(PBDNJ), Savo Prifti (PD) dhe Dhimitër Llazari (MEGA). Bollano ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë apo reagim për humbjen e tij. Bashkia e Himarës ishte e vetmja ku PS-ja dhe PBDNJ-ja përfaqësoheshin me kandidatë respektivë.

 

HIMRE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura