“Dorëheqje e Qeverisë dhe Ramës”- Deputetja e opozitës: Mbështetje e plotë kërkesave të protestuesve; dokumentet flenë në Kuvend!

Jun 6, 2026 | 17:14

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka dalë në mbështetje të kërkesave të protestuesve për Zvërnecin dhe zonat e tjera të mbrojtura, duke sjellë në vëmendje skandalet e qeverisë “Rama” me ligjet klienteliste që ka kaluar në Kuvend.

zhupa territorialja

Ajo mbështeti pikat që nga dorëheqja e kryeministrit dhe deri te shfuqizimi i kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, zonat e mbrojtura, paketa e Maleve dhe trashëgimisë kulturore.

“Për secilën prej kërkesave të protestuesve ka pasur kundërshtim të vazhdueshëm politik dhe institucional. Ka pasur iniciativa konkrete, amendamente, projektligje, beteja në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese. Zgjidhjet ekzistojnë dhe ndodhen në sirtarët e Parlamentit. Ajo që mungon është vullneti i mazhorancës, e cila ka zgjedhur të mbrojë interesat klienteliste në vend të interesit publik. Ka ardhur dita që kjo betejë të mos jetë më vetëm parlamentare apo politike, por edhe qytetare. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë shqiptarët që ngrihen në mbrojtje të vendit të tyre, të natyrës, të trashëgimisë, të interesit publik dhe të së ardhmes sonë të përbashkët”, shprehet ajo mes të tjerash në reagimin e saj në rrjetin social.

Zhupa shpjegon me radhë të gjitha kërkesat dhe shkeljet e qeverisë për secilën prej tyre, duke theksuar se qeveria po “rrezikon interssin e qytetarëve shqiptarë”.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

“Në mbështetje të plotë të pesë kërkesave të protestuesve në mbarë Shqipërinë dhe në diasporë:

  1. Dorëheqjen e qeverisë.
  2. Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investitorët strategjikë.
  3. Shfuqizimin e Paketës së Maleve.
  4. Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin nr. 21/2024 për Zonat e Mbrojtura.
  5. Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Ligji i Investimeve Strategjike ka qenë në thelb ligj i vjedhjeve strategjike. Është kundër në të pesë rastet kur mazhoranca ka zgjatur afatin e tij në Kuvend, duke paralajmëruar pasojat që sot janë të dukshme për të gjithë.

Kjo është një betejë gjashtëvjeçare që nisi me Butrintin dhe me ndryshimet në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, të cilat hapën rrugën për dhënien me koncesion të pasurive kulturore. Pikërisht ky ligj mundësoi koncesionin e Butrintit dhe krijoi precedentë të rrezikshëm për projekte të tjera si TID Durrës, Kalaja e Elbasanit, Gjirokastra dhe pasuri të tjera kombëtare, të trajtuara jo si trashëgimi e përbashkët, por në funksion të klientelës së pushtetit.

Kam depozituar dy herë projektligjin për heqjen e koncesioneve nga Ligji për Trashëgiminë Kulturore. Herën e parë, më 11 maj 2022, projektligji u shqyrtua në komisione, por u la në sirtar deri në përfundimin e legjislaturës. E ridepozitova më 29 shtator 2025, por u rrëzua me argumentin absurd se nuk duhej penguar sektori privat të merrte në administrim trashëgiminë kulturore!!!!!

Çështja e Butrintit shkoi edhe në Gjykatën Kushtetuese. Fatkeqësisht, me votën vendimtare të Holta Zaçajt, sot e shpërblyer me një post në Bankën e Shqipërisë, kërkesa u rrëzua dhe koncesioni mbeti në fuqi.

Ndërkohë, projekti i ashtuquajtur “Pika e Vogël” në Butrint u bë një rast flagrant i tentativës për ndërtim në një zonë të mbrojtur dhe në një sit të trashëgimisë kulturore, pranë Gjirit të Manastirit.

Për Ligjin e Zonave të Mbrojtura kam zhvilluar një tur në të gjithë Shqipërinë së bashku me ekspertë të shoqërisë civile, kam organizuar takime, protesta dhe interpelanca me ministren e kohës Kumbaro. I bëra thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretonte këtë ligj, por ai zgjodhi të mos përdorte kompetencën e tij në mbrojtje të interesit publik.

Më 1 nëntor 2024 e dërgova ligjin në Gjykatën Kushtetuese me firmat e 37 deputetëve. Gjykata u nda 4 me 4 dhe, për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme, ligji mbeti në fuqi. Më 14/05/2026  kam depozituar në Kuvend projektligjin për shfuqizimin e Ligjit 21/2024, menjëherë pas rezolutës së Parlamentit Europian që kërkonte shfuqizimin e tij.

Së fundmi, Paketa e Maleve përfaqëson një fazë të re të tjetërsimit jo vetëm të pronës publike, por edhe të pronës private, duke rrezikuar të drejtat e qytetarëve dhe interesin kombëtar. E kundërshtuar dhe e papranueshme!

Për secilën prej kërkesave të protestuesve ka pasur kundërshtim të vazhdueshëm politik dhe institucional. Ka pasur iniciativa konkrete, amendamente, projektligje, beteja në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese. Zgjidhjet ekzistojnë dhe ndodhen në sirtarët e Parlamentit. Ajo që mungon është vullneti i mazhorancës, e cila ka zgjedhur të mbrojë interesat klienteliste në vend të interesit publik.

Ka ardhur dita që kjo betejë të mos jetë më vetëm parlamentare apo politike, por edhe qytetare. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë shqiptarët që ngrihen në mbrojtje të vendit të tyre, të natyrës, të trashëgimisë, të interesit publik dhe të së ardhmes sonë të përbashkët”.

© Panorama.al

Te lidhura