Donald Trump nënshkruan ligjin për shpenzimet, i jep fund bllokimit më të gjatë të qeverisë në historinë e SHBA-së

Nov 13, 2025 | 7:05

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një projektligj për shpenzimet, duke rihapur qeverinë federale dhe duke i dhënë fund bllokimit më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara, raporton BBC. 

trump

Ligji afatshkurtër u firmos vetëm disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projektligjin me 222 vota pro dhe 209 kundër, të mërkurën në mbrëmje, dhe dy ditë pasi Senati e kishte kaluar me një diferencë të ngushtë.

Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se qeveria “do të rifillojë normalisht punën” pasi “shumë njerëz u dëmtuan rëndë” nga mbyllja 43-ditore.

Që nga tetori, shumë shërbime qeveritare kishin pezulluar aktivitetin, ndërsa rreth 1.4 milionë punonjës federalë ishin dërguar me leje pa pagesë ose punonin pa u paguar.

Ndihma ushqimore ishte bllokuar, dhe udhëtimet ajrore në të gjithë vendin ishin përballur me vonesa të shumta. Autoritetet presin që shërbimet të rifillojnë gradualisht në ditët e ardhshme, ndërsa trafiku ajror pritet të stabilizohet përpara festës së Falënderimeve.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) kishte reduktuar fluturimet për shkak të mungesës së stafit gjatë bllokimit, gjë që ndikoi drejtpërdrejt edhe në disa anëtarë të Kongresit që udhëtonin drejt Uashingtonit për votimin.

© Panorama.al

Te lidhura