Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, ku u prezantua nisma për ndryshimet ligjore.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se Belinda Balluku mund të bëhet e penduar e drejtësisë dhe të marrë me vetë edhe Edi Ramën.
Kreu i PD, aludon se tre dorëheqjet e Ballukut i ka sajuar vetë Edi Rama, pasi sipas Berishës në takimin në kryeministri me Ulsi Manjën dhe Engjëll Agacin, ajo ka refuzuar dorëheqjen.
“Dje ai doli dhe u betua dhe u stërbetua për kokën e Lubisë. E patë ju sa të mallëngjyer ishin. Njëra ishte e gatshme të ngashërehej nga mallëngjimi, tjetri të betohej për kokën e saj. Një mashtrim i turpshëm. Cinizëm ekstrem.
Pse e them këtë? Ai thotë se Lubia dha tre herë dorëheqjen, aty e zbuloi veten. Nuk e lejoi. Nuk e lejoi se do e marrë me vete. Kaq.
U faktua ajo që kemi thënë dhe e dimë se Lubia bëhet pentito. Dhe hajde zëri besë atëherë të penduarës Lubi Balluku.
Se nuk do pendohet Lubia, por ku e njeh mirë Lubinë, prandaj tregon se gjoja paska dhënë dorëheqjen dhe nuk ia ka pranuar.
Akuzon veten e vet. Por në debatin pesë orë në kryeministri në prani të Ulsiut dhe Engjëll Agaçit, e vërteta është që ajo ka kundërshtuar preras dhënien e dorëheqjes. Dhe Edi Rama me këto gënjeshtra, ka rrezik që i ka firmosur vetë ato dorëheqje vetëm për alibira dhe mashtrime. Dhe ja ku jemi, në këto kushte”, tha Berisha.
© Panorama.al











