TIRANE- Policia e Shtetit njoftoi sot dorëzimin në Prokurori të materialeve hetimore në ngarkim të shtetasve Gjin Marku dhe Pashko Popaj.
Nga hetimet e policisë ka rezultuar se dy shtetasit ne hetim, kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara dhe pa asnjë bazë ligjore për shtetas të ndryshëm që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azilin në vende të ndryshme të Europës. Sipas policisë, shtetasit e interesuar për vërtetime nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje.
Gjin Lazër Marku, 55 vjeç është në Tiranë, me detyrë Kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar me qendër në Tiranë dhe Pashko Tom Popaj, banues në Bajzë Kastrat, Malësi e Madhe është anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër.
Marku dhe Popaj akuzohen për falsifikim të dokumenteve.
Policia e Shtetit njoftoi se do të vijojë verifikimin e të gjitha rasteve të
ngjashme, duke kryer të gjitha veprimet procedurale në ngarkim të të
gjithë atyre shtetasve që do të evidentohen se kanë kryer apo kryejnë
veprime antiligjore.
Kohët e fundit pati një rritje të shtetasve shqiptarëve që kërkonin azil, kryesisht në Belgjikë, duke bërë që Bashkimi Evropian të tërhiqte disa herë vëmendjen autoriteteve shqiptare që të punonin, me qëllim që numri në rritje i azilkërkuesve të mos rrezikonte procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët.
© Panorama.al











