
STRUGE- Vetëm pak ditë më parë Mynir Ismaili ka qenë në qendër të mediave shqiptare dhe atyre maqedonase, pasi në shenje proteste ai dogji flamurin shtetëror të Maqedonisë para godinës komunale në Strugë. Në një rrëfim të për gazetën Koha në Maqedoni, Ismaili ka treguar se veprimi i tij nuk është bërë kundër maqedonasve si popull, por kundër ofendimeve anti-shqiptare dhe heshtjes institucionale ndaj huliganëve që “përdhunojnë” vlerat shqiptarë.
Ai thotë se e ka ndërmarrë këtë vendim pasi ishte shumë i revoltuar me ofendimet e shqiptarëve nga huliganët maqedonas në Kampionatin Evropian të Hendbollit në Serbi.
“Rastet e fundit me ofendimin e shqiptarëve nëpër arenat sportive ishin shkaku që po më krijonin emocione të papërballueshme, si te çdo shqiptarë tjetër. Nga e gjithë kjo ngarkesë negative, po kristalizohej mendimi se duhet bërë një veprim për të tërhequr vëmendjen e klasës politike në Maqedoni që këto gjëra njëherë e përgjithmonë duhet të ndalen, sepse po revoltonin popullin e thjeshtë”, ka treguar Ismaili për gazetën.
Ismaili ka treguar se planin për djegien e flamurit e kishte përpiluar në momentin kur kishte dëgjuar kreun shtetëror duke i mohuar ofendimet ndaj shqiptarëve.
Ai nuk ndjehet fajtor për aktin e djegies së flamurit shtetëror, ndërkohë që këmbëngulë se “vepra” e tij nuk është kundër maqedonasve.
“Ne duhet t’i marrim parasysh të gjithë problemet që kanë ndodhur deri tani të kësaj natyre edhe nga pala maqedonase, për të cilët me sa di unë, nuk është marr asnjë masë. Unë për këtë rast nuk e ndjej veten fajtor dhe shtrojë pyetjen përse vetëm ne shqiptarët duhet të dënohemi për vepra të tilla. Rasti im ishte një kundërpërgjigje si rezultat i rrethanave të përsëritura ofenduese karshi kombit tim. Veprimi im në këtë rast, nuk është i orientuar kundër kombit maqedonas. Ai është flamur shtetëror i shtetit ku jetoj edhe unë. Djegia e flamurit ndodhi si nevojë që opinioni të sensibilizohet edhe për efektet në popull të akteve të përsëritura kundër shqiptarëve, të cilat kalonin pa u dënuar nga asnjë institucion shtetëror”, ka nënvizuar ai.
© Panorama.al











