
Kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar edhe dje se të premten Kosova do të zbatojë planin e saj mbi Veriun dhe doganat atje, të ndërtuar sipas marrëveshjes më të fundit mes qeverisë, EULEX-it e KFOR-it. Plani, i cili më parë u pranua edhe nga qeveria serbe, tashmë duket se nuk i bind shumë ata, edhe pse në kufi, në pikat një dhe 31 do të përdoren vilat “qeveria e Kosovës” pa termin republikë. Serbët kërkojnë që në këto pika të mos ketë doganierë e policë të Kosovës. Kjo është refuzuar nga strukturat ndërkombëtare në Kosovë, pasi jo më larg se dy ditë më parë Serbia e ka marrë njoftimin edhe zyrtarisht nga EULEX-i, se doganat në pikat e diskutueshme në kufi me Serbinë do të komandohen nga doganierë të Kosovës. Por autoritetet serbe kanë paralajmëruar se nuk i pranojnë përfaqësuesit kosovarë në kufi dhe se “nuk mbajnë përgjegjësi për reagimin e qytetarëve serbë”, që jetojnë në Veri. Ndërkohë, serbët e Veriut të Kosovës, duke u organizuar nga strukturat paralele serbe që veprojnë në Kosovë, janë rivendosur dje në barrikada për të penguar kalimin e përfaqësuesve të Kosovës drejt doganave. Situata në Veri është tensionuar. Disa banorë kanë nisur të largohen nga shtëpitë e tyre, duke sinjalizuar kështu se po qarkullojnë “erëra lufte”. Beogradi, me anë të strukturave paralele ka deklaruar se nuk do të lejojë kurrë që Kosova të ketë kontrollin e asaj pjese territoriale, ndërsa Thaçi dhe qeveria e tij janë zotuar se askush nuk mund t’i pengojë për të zbatuar rendin dhe ligjin, por edhe marrëveshjet ndërkombëtare brenda vendit të tyre. Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, tha se “strukturat paralele dhe elementët ekstremistë”, vazhdimisht tentojnë ta destabilizojnë situatën në atë pjesë të vendit. “Këto veprime nuk do të mund të pengohen në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nga strukturat kriminale, të organizuara nga Beogradi zyrtar”, tha Thaçi gjatë një konference për media. Ai ka thënë se qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare ka përpiluar një udhërrëfyes të qartë për normalizimin e jetës dhe vendosjen e rendit e ligjit në këtë pjesë të vendit.
Rasmusen në Kosovë
Sot, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, mbërrin në Prishtinë, një ditë para nisjes së zbatimit të planit të qeverisë kosovare për të dërguar policët dhe doganierët në pikat kufitare në Veri. Rasmusen pritet të takojë komandantin e ri të KFOR-it, Erhard Dreus, Kryeministrin Hashim Thaçi e ministrin e FSK-së. Në takimin e para pak ditëve në Bruksel me Presidenten Atifete Jahjaga, Rasmusen tha se NATO-ja ishte e shqetësuar me situatën e krijuar në Veriun e Kosovës.











