
KAKAVIJE/KAPSHTICE – Pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës nuk kanë funksionuar për kalimin e mjeteve të transportit të udhëtarëve apo dhe të mallrave. Greva e doganierëve grekë ka prekur edhe nyjat më të rëndësishme kufitare në Jug të vendit. Paralajmërimet e bëra një ditë më parë nga autoritetet policore rajonale në Gjirokastër se në Kakavijë, Tre Urat në Përmet dhe në Sopik nuk do të funksionojë shërbimi doganor grek, bëri që këto pika të kalimit kufitar në qarkun e Gjirokastrës, të jenë të qeta gjatë ditës. Qysh në orën 06:00 të ditës së hënë, doganierët grekë në Kakavijë kanë ndërprerë punën, duke dalë në ambientet e jashtme të doganës dhe respektuar në këtë mënyrë vendimin e sindikatës greke të doganierëve, për paralizim të shërbimit doganor për 48 orë rresht. Autoritetet policore në Kakavijë konstatojnë se përgjatë ditës së hënë nuk ka pasur dyndje mjetesh, gjithashtu nuk kanë funksionuar as autobusët e udhëtarëve të kompanive shqiptare drejt Greqisë. Këmbësorët kanë kaluar doganën për të hipur në linjat e autobusëve greke nga Kakavija në drejtim të Janinës apo dhe destinacione të tjera. Por, ndryshe ka ndodhur në pikën kufitare të Kapshticës. Edhe pse njoftimi ka qenë publik, shumë qytetarë kanë pohuar se kishin mungesë të këtij informacioni, gjë që i ka bërë të drejtohen në doganën e Kapshticës. Kalimi i këmbësorëve nuk u ka shpëtuar pengesave, pasi qytetarët janë shqetësuar edhe nga mosmbajtja e premtimeve të bëra nga agjencitë e udhëtimit. Disa prej tyre kishin premtuar për emigrantët mundësinë e udhëtimit nga autobusë të linjës, të cilët do të prisnin nga përtej kufirit, gjë e cila në disa raste nuk është realizuar, duke i lënë qytetarët të presin për disa orë. Edhe pse nuk janë regjistruar radhë, sërish automjeteve u është dashur të presin ose të kthehen mbrapa për shkak të mungesës së informacionit në lidhje me këtë grevë, e cila pritet të përfundojë të mërkurën. p.n/dh.d











