TIRANE – Ndërhyrja e policisë së Tiranës dështon “planin” e dy 19-vjeçarëve për të realizuar një grabitje. Të rinjtë u arrestuan, ndërsa kishin me vete edhe mjetet me të cilat dyshohet se do të kryhej vjedhja e dhunshme. Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht dje arrestimin në kushtet e flagrancës të Bujar Lekës dhe Jetmir Mukës, të dy nga 19-vjeç, përkatësisht banorë të Kamzës dhe të Valiasit të Ri. Arrestimi i të rinjve është realizuar rreth orës 01.00 të mëngjesit të së enjtes pranë digës së Liqenit Artificial nga forcat e Komisariatit nr.2, të kryeqytetit. Nga kontrolli fizik i tyre, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy thika prerëse, një dorezë metalike e prodhuar për goditje, një kapuç leshi ngjyrë e zezë, dy çorape që vendosen në dorë për kryerjen e vjedhjeve dhe një copë litar. Dyshohet se dy 19-vjeçarët do të kryenin grabitje pranë zonës ku u ndaluan.











