“Do protestoj deri ditën e fundit!”- Qytetari: Me këto çmime, rroga nuk pi më ujë! Këtu po vidhet çdo gjë

Jul 21, 2026 | 20:07

Një prej qytetarëve pjesëmarrës në protestën kundër qeverisë, tha për News 24 se arsyeja që e ka nxjerrë në shesh nuk lidhet vetëm me çështjen e zonave të mbrojtura, por me vështirësitë e përditshme ekonomike.

Ai ngriti shqetësimin për rritjen e çmimeve, duke thënë se shumë familje e kanë të vështirë të përballojnë shpenzimet mujore.

“Me këto çmime që kemi këtu, vjen fundi i muajit dhe jemi minus. Nuk të del asgjë, rroga nuk pi ujë këtu. Shumë shqiptarë nuk e di si ia dalin, të fortë janë”, u shpreh i riu për News24.

Protestuesi tha se kërkesat e qytetarëve shkojnë përtej çështjes së zonave të mbrojtura, duke përmendur edhe çmimin e karburanteve, taksat e larta dhe problematikat në tregun e punës.

Protestuesi: Unë protestoj sepse nuk dua të iki në Gjermani. Dua të rri këtu me nënën dhe babain tim, dua një të ardhme më të mirë, dua ta krijoj këtu familjen time. Sot nuk i ke mundësitë. Me këto çmime që kemi këtu, vjen fundi i muajit dhe jemi minus. Nuk të del asgjë, rroga nuk pi ujë këtu. Shumë shqiptarë nuk e di si ia dalin, të fortë janë.

Nuk protestojmë vetëm për zonat e mbrojtura. Kam makinën, kam dy javë që nuk po e lëviz dot, 260 lekë ka shkuar litri i naftës. Çfarë veç zonave të mbrojtura? Këtu po vidhet çdo gjë. Vjen dhe të vë shkelmin në fyt, taksat nuk mbahen më. Ka nxjerrë ligj ky që, nëse pronari të hedh pak rrogë… Kush po e pyet?

Gjysmë për gjysmë ta hedhin rrogën. Të çohen të gjithë ata që janë punëtorë, jo minimalja në bankë, të hidhet aq sa e kanë. Kjo është në çdo vend, në çdo biznes të mundshëm. Kanë frikë të flasin, por është më mirë të flasin të gjithë. Do të jem në protestë deri në fund.

© Panorama.al

Te lidhura