“Do gjej një mikeshë të re për Jeffrey-n!”- Kryetari i grupit të hoteleve ‘Hyatt’ jep dorëheqjen pas zbulimit të kontakteve me Epstein-in, Pritzker: S’kam asnjë justifikim!

Feb 17, 2026 | 9:06

Drejtori ekzekutiv grupit amerikan të hoteleve Hyatt, Thomas Pritzker, dha dorëheqjen dje, të hënën, pasi dokumente të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbuluan kontaktet e tij me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein.

thomas-pritzker (1)

75-vjeçari, miliarder dhe trashëgimtar i familjes Pritzker, deklaroi se vendosi të tërhiqet pas diskutimeve me anëtarët e tjerë të bordit drejtues.

Pritzker kishte ruajtur kontakte me Jeffrey Epstein edhe shumë kohë pas vitit 2008, kur financieri u dënua për herë të parë për nxitje të të miturve në prostitucion. Jeffrey Epstein ndërroi jetë në vitin 2019 në një burg në Nju Jork, ndërsa priste të gjykohej për trafikim seksual të të miturve.

“Menaxhimi i përgjegjshëm nënkupton që të mbroj Hyatt-in, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve të mia me Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell, për të cilat pendohem thellësisht”, thuhet në deklaratën e Pritzker, e ripublikuar nga mediat amerikane.

Maxwell po vuan një dënim me 20 vite burg për trafikim të të miturve në emër të Epstein.

“Kam treguar gjykim jashtëzakonisht të dobët duke mbajtur kontakte me ta dhe nuk ka asnjë justifikim për faktin që nuk u distancova më herët. Dënoj veprimet dhe dëmin e shkaktuar nga Epstein dhe Maxwell dhe ndiej keqardhje të thellë për dhimbjen që u shkaktuan viktimave të tyre”, shkruante ai.

Pa e përmendur drejtpërdrejt Epstein-in, grupi Hyatt njoftoi përmes një deklarate se Pritzker tërhiqet nga posti i kryetarit ekzekutiv të bordit drejtues dhe se nuk do të kandidojë për rizgjedhje në mbledhjen e përgjithshme të aksionarëve, e planifikuar për në maj.

Dokumentet e publikuara gjatë hetimeve për Epstein tregojnë se Pritzker ka mbetur në kontakt të rregullt me të gjatë viteve. Mediat amerikane publikuan një shkëmbim email-esh të vitit 2018, ku Epstein i kërkonte Pritzker-it ndihmë për rezervime hotelesh për një grua që do të udhëtonte në Azi.

Sipas këtyre mesazheve, gruaja i kishte thënë Pritzker-it se “do të përpiqej të gjente një mikeshë të re për Jeffrey”, ndërsa ai i ishte përgjigjur: “Forca qoftë me ju”.

Përmendja e një emri në dosjen Epstein nuk nënkupton automatikisht se personi në fjalë ka kryer ndonjë veprim të paligjshëm. Megjithatë, miliona dokumente të publikuara nga drejtësia amerikane tregojnë të paktën ekzistencën e marrëdhënieve me Epstein ose me rrethin e tij.

Si pasojë, shumë figura publike të përmendura në këtë dosje kanë dhënë dorëheqjen pas publikimit të saj. Javën e kaluar, drejtuesja e departamentit ligjor të Goldman Sachs, Kathryn Ruemmler, dha gjithashtu dorëheqjen për shkak të lidhjeve të saj me Epstein.

Babai i Pritzker-it, Jay Pritzker, themeloi zinxhirin e hoteleve Hyatt duke nisur në vitet 1950 me vetëm një hotel në Los Anxhelos. Familja vazhdon të ushtrojë kontroll të konsiderueshëm mbi kompaninë.

© Panorama.al

Te lidhura