Analiza e Prec Zogajt: Shqipëria e Re, me mendësi të re dhe në BE ! Çfarë po tregon “lufta” kundër establishmentit Berisha-Rama

Jul 25, 2026 | 20:52

Nga PREÇ ZOGAJ

protestat Preç ZOGAJ

Liderët politikë të stampës shelbuese, jo vetëm në Shqipëri, e kanë zakon të lançojnë sllogane misionarësh të tipit “për një Botë e re”, “për një Fillim i ri”, “për një Rilindje”, e tjerë. Kur vinë në pushtet pushtohen nga sindroma e vitit zero, sikur me ta nis koha, misioni, historia. Në përballje me dështimin dhe të pamundurën për të bërë atë që kanë fantazuar përfundojnë në tiranë kur sundojnë në regjimet e mbyllura një partiake. Në autokratë të korruptuar në regjimet kinse demokratike. Jo vetëm në kuptimin e pasurimit abuziv në shkelje të ligjeve, por edhe të shkelmimit të parimeve dhe vlerave që është forma më e lartë e korruptimit moral.

Trajektorja e këtij procesi kërkon shumë faqe të shpjegohet. Në hapsirën e një shkrimi si ky mund të thuhet vetëm kaq: E keqja ka qenë paralajmëruar nga mendësia e liderëve të tillë para së të vinin në pushtet. Fjala përdridhet, maskohet. Mendësia jo. Mendësia si një tërësi mjetesh e formash të komunikimit shpallet nëpër lloj-lloj detajesh. Veç kush është i verbër nga mendja nuk e vë re.

Shqipëria e Re, deviza e bukur e protestës epike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka veçorinë se, në ngjashmëri me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të Lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, ka lindur si pagëzim shpirtëror dhe gjenuin i një mase shumë të madhe njerëzish.

Si e tillë, ajo i ka shanset të shmangë reminishencat me zakonet e këqija të opozitarizmit irracional, prokurorial, shabllonist, të varfër në fjalor, të zbrazur në ide, ngarkuar me grimasa, shëmtia vetë.

Në fakt, ashtu si komunizmi mundet me një mendim më të lartë dhe jo me antikomunizëm deklarativ, siç pat thënë Abaz Jermeni pas pataksjes që përjetoi kur pa lojën e zgjedhjeve të 26 majit 1996, edhe luftë kundër establishmentit Berisha-Rama është efikase duke dëshmuar epërsi në çdo pikëpamje ndaj tij. E kemi parë në fakt në mjaft fjalime të rinjsh e të rejash, por edhe të moshave më të rritura në protestën epike në bulevard-njerëz të mirëshkolluar, të lirë, të fortë, etikë, argumentues, që bëjnë kontrast me mitingashët e stampës së vjetër.

Fjalimet e tyre spontane tregojnë se Shqipëria e re është pikësëpari ajo e një mendësie te re, kombëtare, europiane dhe demokratike, ku të rinjtë kërkojnë të marrin pergjegjësi si protagonistë të ndryshimit.

Duke përçmuar praktikat e anëtarësimit dhe “promovimit” në partitë e establishmentit për fasadë apo për transplant politik të liderëve të përjetshëm.
Duke u diferencuar nga “modeli” qesharak i të riut që hyn në politikë me një damë të re për krahu dhe me një ide të vjetër në kokë.

Duke dashur e synuar të bëjnë karrierë politike jo me aplikim, si të ishte fjala për një vend pune me shpallje, por përmes angazhimit me pasion ku ndërtohet hap pas hapi një karrierë politike e qëndrueshme, e meritur, efektive.

“Për të rinjtë e ardhmja është e madhe, e shkuara është e vogël”, ka thënë Aristoteli. “Veprimet e tyre diktohen jo aq nga përllogaritjet se sa nga zemra”. Kjo nuk ka ndryshuar nëpër mijëvjeçarë.

“Shqipëria e re” është sakaq Shqipëria në BE. Në pamje të parë do të tingëllonte paradoksale që protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit të ketë si busull të saj një gjë që Rama e ka bërë kalin e tij të betejës në zgjedhjet e vitit 2025 dhe vijon ta ketë sot e gjithë ditën kryefjalë të diskursit të tij. Por nuk është kështu.

Së pari, për ta nisur nga më e thjeshta, janë rreth tetëdhjetë e tetë përqind e qytetarëve shqiptarë që mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE, një shifër rekord që vazhdon të habisë në Bruksel dhe në çdo kryeqytet europian. Sekush e bën për vete, për familjen, për vendin dhe jo se e thotë kryeministri.

Së dyti, Shqipëria në BE është zgjidhja më e qëndrueshme për kërkesat-aspirata të protestës sot dhe të qytetarëve të lirë në vijmësi. Që nga ato për mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë në sferat e larta e deri te ato që lidhen me reformimin e sistemit politik në funksion të zgjedhjeve të lira, ku populli të ketë mundësi t’i zgjedhë vetë deputetët. Por kujdes! Zgjidhjet për të cilat po flasim dhe të tjera po aq të rëndësishme nuk janë premtime për t’u mbajtur kur të jemi brenda shtëpisë europianë. Janë kushte për t’u pranuar.

Së treti, pavarësisht se “anija” jonë vazhdon udhëtimin drejt portit të integrimit dhe kapituj të tjerë do të mbyllen në vijimësi, “provimet e shtetit”, apo portat e Herkulit, janë në fund. Ata janë zbatimi i ligjeve dhe standarteve. Sado ta lirojë dorën faktori gjeopolitik, Shqipëria nuk mund të presë finishin me standartet e ulta zgjedhore që ka, me ndikimin e fortë të parave të pista të narkotrafikut, krimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërtimit e më gjerë, me pengesat e nëndheshme por të lexueshme që has lufta e SPAK dhe GHKKO kundër korrupsionit në sferat e larta qeveritare, me minuse të tjera në lëmin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së mjedisit. Shto këtu pishmane dhe ambiguitete në sferat e larta të politikës dhe oligarkëve në Tiranë (nën monitorin nga Brukseli, Berlini e tjerë), ku në pamundësi për të frenuar zgjerimin e BE-së me Shqipërinë, do të parapëlqenin një pranim gjysmak, “ buono për Albania” që u mundëson ruajtjen e privilegjeve dhe statusqusë. Nuk ka gjasa të ndodhë. Por integrimin edhe mund të na e vonojnë

Në këto kushte, protestës si institucion i pazëvendësueshëm i demokracisë i ka ka rënë misioni dhe barra të jetë vigjilente, në roje dhe në pararojë të ëndrrës së integrimit./ MAPO

 

© Panorama.al

Te lidhura