Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të nisë nga 25 te-tori djegien e fletëve të votimit të zgje-dhjeve të 8 majit. Procesi, i cili do të zgjasë dy muaj, përfshin këtu edhe dërgimin e materialeve në Arkivin e Shtetit, që do të kushtojë 5.4 milionë lekë dhe për të do të punësohen 60 persona. Akti, i cili u diskutua mes debateve për shkak të një kërkese të PS-së për t’u shtyrë, në fund mori votat e të shtatë anëtarëve të KQZ-së.
Debati
Që në fillim të mbledhjes, përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji, kërkoi që vendimi të shtyhet për shkak se Prokuroria ka nisur një hetim pas kërkesës së dorëzuar nga partia e tij. “Nuk e kuptojmë këtë nxitim për djegien e fletëve të votimit, pasi ka jo më shumë se 10 ditë që është mbyllur procesi. Mendojmë se këtu ka një nxitim dhe paramendim për të djegur fletët e votimit. Këto fletë votimi, siç edhe ju e dini, janë objekt i një kallëzimi penal që PS ka bërë në Prokurorinë e Tiranës për krimin elektoral që ndodhi në KQZ”, u shpreh avokati i PS-së në KQZ. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, tha se me këtë vendim vetëm sa po zbatohet neni 178 i Kodit Zgjedhor. “Përsa i përket çështjes në Prokurori, çdo subjekt ka të drejtë të paraqesë kërkesë, por kjo nuk bëhet duke ardhur në KQZ e duke thënë qe ne kemi dërguar një shkresë në Prokurori”, u shpreh Kosovrasti.
Pas debateve mes kreut të KQZ-së, Arben Ristani dhe përfaqësuesit të PS-së, ky i fundit u largua nga salla, ndërkohë që kërkesa për ta shtyrë vendimin u mbështet edhe nga tre anëtarët e majtë në KQZ. Pas diskutimit në parim të aktit, shumica ra dakord të pranonte disa nga vërejtjet e opozitës lidhur me bazën ligjore të ligjit. Në fund, të gjithë anëtarët e KQZ-së pranuan ta miratojnë aktin, çka shënoi votimin e parë 7-0, i cili nuk ishte arritur që përpara zgjedhjeve të 8 majit. Sipas përllogaritjeve të bëra nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për djegien e rreth 7.2 milionë fletëve të votimit, do të përdoren një mijë litra benzinë, 3 mijë zarfe për sistemin e dokumentacionit që do të dërgohet në Arkivin Qendror dhe 3 mijë thasë plastmasi për mbeturinat.
60 dite
Sipas vendimit të miratuar dje nga KQZ-ja, fletët e votimit të 8 majit do të digjen në periudhën nga 25 tetori deri më 25 dhjetor. Këtu përfshihet edhe periudha e dërgimit të materialeve të vlefshme në Arkivin Qendror
1 mije litra
Administrata e KQZ-së ka parashikuar se duhen rreth një mijë litra benzinë për të djegur 7.2 milionë fletë votimi të prodhuara për zgjedhjet e 8 majit. Por kostoja e këtyre një mijë litrave do të jetë 0 për shkak të gjendjes që ka KQZ
Debati në KQZ
Eridian Salianji (përfaqësues i PS): Nuk e kuptojmë këtë nxitim për djegien e fletëve të votimit, pasi ka jo më shumë se 10 ditë që është mbyllur procesi. Mendojmë se këtu ka një nxitim dhe paramendim për të djegur fletët e votimit. Këto fletë votimi, siç edhe ju e dini, janë objekt i një kallëzimi penal që PS ka bërë në Prokurorinë e Tiranës për krimin elektoral që ndodhi në KQZ, për ndryshimin e rezultatit që ndodhi sa i përket Tiranës dhe ju nuk mund t’i digji këto fletë votimi se janë prova që Prokurorisë do t’i shërbejnë për të vërtetuar atë çka ne kemi vërtetuar në KQZ, pra kemi vërtetuar një mospërputhje prej 870 fletësh votimi me numrin e zgjedhësve.
Arben Ristani: Mund t’i referoheni një baze ligjore për kërkesën që keni?
Eridian Salianji: Këtu nuk jemi në seancë pyetje-përgjigje. Bazë ligjore kemi praktikën disavjeçare të KQZ, i cili në asnjë rast nuk i ka djegur fletët e votimit 10 ditë pas procesit. Është dhe Kodi i Procedurës Penale.
Arben Ristani: Zoti Salianji, unë kam shumë respekt për njohuritë tuaja juridike, ndaj po ju pyes se cila është baza ligjore e kërkesës suaj?
Eridian Salianji: Ju dhashë përgjigjen time. Është një proces hetimor në Prokurorinë e Tiranës. Është si të prishësh vendin e krimit. Ju po prishni vendin e krimit, është vepër penale edhe kjo.
Arben Ristani: Kam shumë respekt për aftësitë tuaja juridike. Cila është baza ligjore ku e mbështesni kërkesën? Ta thanë bazën ligjore me telefon, thuaje?
Eridian Salianji: Jo, më thanë një gjë të çuditshme që e di më mirë Kodi i Procedurës Penale. Ke qenë dhe gjyqtar, e ke vuajtur dhe vetë në disa raste…
Arben Ristani: Më thuaj cila është baza ligjore?
Eridian Salianji: Mos fshi provën e krimit. Kjo është baza ligjore.
Arben Ristani: Eridian, e di çfarë është e çuditshme në këtë rast? Sa herë është për të thënë budallallëqe, të dërgojnë ty. Pse nuk vjen Genci, për shembull?
Eridian Salianji: Se as Genci, as KQZ nuk të njeh si kryetar. Kemi ardhur për të mbrojtur provën, nuk kemi ardhur për ty.
Përfaqësuesi i PS largohet nga mbledhja.
Kosovrasti: Ju, para pak ditësh morët dhe vendimin për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të kthehet në vendim ky projekt. Përsa i përket çështjes në Prokurori, çdo subjekt ka të drejtë të paraqesë kërkesë, por kjo nuk bëhet duke ardhur në KQZ, duke thënë qe ne kemi dërguar një shkresë në Prokurori. Prokuroria i di vetë punët e saj. NQS Prokuroria e sheh të arsyeshme, i drejtohet KQZ me kërkesën përkatëse ose Parlamentit.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











