Djegia e oficerit të SHISH, vëllai: S‘më bind vetëvrasja

Nov 15, 2011 | 15:41
Isa Çopa, oficeri i SHISH, i cili u gjet i vdekur

Oficeri i SHISH, Isa Çopa, i cili u dogj në makinën e tij mbrëmjen e 24 tetorit në Durrës, ditën e ngjarjes, rreth orës 16:30, rezulton të ketë marrë një bidon plastik në shtëpinë e motrës së tij. Ky fakt është tashmë i ditur, pasi është pohuar nga policia menjëherë pas ngjarjes, por bidonin me benzinë sipas të dhënave të fundit nga hetimi, rezulton se oficeri i SHISH e ka pasur për të ndihmuar një shok. Nga informacionet e publikuara mbrëmë në emisionin “Xhungël” të gazetarit Artan Hoxha në “News 24”, rezulton që në orën 16:30, të datës 24 tetor, oficerin e SHISH në Durrës, Isa Çopën, e ka telefonuar një koleg dhe i ka kërkuar ndihmë, sepse makina e tij kishte pësuar një defekt tek Ura e Dajlanit në Durrës. Sipas këtyre të dhënave, Çopa është nisur për ta ndihmuar mikun e tij. Këtë fakt e pohon edhe Halit Çopa, vëllai i oficerit të SHISH, i cili thotë se i ka verifikuar të gjitha oraret e lëvizjes së viktimës një ditë para se të lajmërohej se kishte vdekur. Vëllai i Çopës shpjegoi për emisionin “Xhungël”, se ka shkuar tek institucioni ku punonte i vëllai për të pyetur rreth lëvizjeve të tij. “Sipas informacioneve që mora në institucionin ku ai punonte, mësova se rreth orës 16:30, i kishte telefonuar një punonjës i këtij institucioni, me sa mora vesh unë, ishte roje aty dhe i ka kërkuar që të shkonte ta merrte, pasi makina e tij kishe pësuar një defekt. Më pas, në orën 17:30, pasi ka ndihmuar mikun e tij, ka qëndruar i vetëm, i ulur në një nga lokalet pranë plazhit të Currilave, ku nuk e di se kë mund të ketë qenë duke pritur”, shprehet i vëllai gjatë intervistës. Ai lë të kuptohet se Isa Çopa, për këtë shkak ai mund të ketë shkuar atë ditë te shtëpia e së motrës, pasi orari korrespondon me orën kur e ka telefonuar shoku që i kërkonte ndihmë për makinën. Si rrjedhojë, bidonin plastik që ka marrë te shtëpia e motrës, pa shpjeguar se përse i duhej, Isa Çopa mund ta ketë pasur, jo për të djegur veten, por për t’i furnizuar me benzinë makinën e kolegut që i kërkonte ndihmë. Vëllai i Çopës edhe gjatë kësaj interviste këmbëngul që 49- vjeçari ka qenë mjaft i qetë dhe nuk ka pasur probleme me njeri. Ndërsa zbulimin e autorëve ai shprehet se ia ka lënë në dorë Drejtësisë. Gjatë emisionit, gazetari Artan Hoxha, jep edhe një version si mund të jetë shkrepur arma, që sipas policisë ka bërë qitje të pavullnetshme. Pasi ka biseduar me ushtarakë që njohin mirë pistoletën tip “Makarov”, që kishte oficeri i SHISH, të cilët janë shprehur se ishte një armë mjaft e sigurt që nuk mund të shkrepej kollaj, Hoxha nuk përjashton mundësinë që armën mund ta ketë shkrepur vetë Çopa. Duke qenë se drejtimi i qitjes ka qenë nga sedilja e parë, ku ndodhej Çopa, drejt sedijes së pasme, ka shumë mundësi që vetë Çopa mund të ketë qëlluar një herë të vetme me armë, ndonjë person që mund të ndodhej në sediljen e pasme. Por, nuk ka pasur mundësi për ta shkrepur armën më shumë se një herë, pasi është qëlluar me një objekt të fortë në kokë.

HETIMI

Prokuroria e Durrësit, e cila e ka regjistruar ngjarjen e ndodhur me Isa Çopën si vrasje, është duke pritur përfundimet e mjekësisë ligjore në lidhje me shkakun e vdekjes së oficerit të SHISH. Deri tani është konfirmuar se viktima ka pasur shenja dhune në kohë që i kanë deformuar kafkën.

© Panorama.al

Te lidhura