
VLORE – Policia dhe Prokuroria e Vlorës kanë vazhduar punën për zbardhjen e djegies së makinës së kreut të Bashkisë, Shpëtim Gjika, mëngjesin e së martës. Ditën e djeshme, në komisariat janë shoqëruar tre persona, roje të lokaleve pranë zonës në Ujin e Ftohtë, të cilët janë pyetur me imtësi mbi ngjarjen. Mësohet se dëshmia e tyre nuk ka qenë favorizuese për hetimet, pasi thanë se nuk kanë pikasur asnjë person të dyshimtë në momentet para se t’i vihej flaka makinës “Benz”, parkuar pranë shtëpisë së kryebashkiakut. Sektori i krimeve ka kryer sërish ekspertizat e nevojshme në automjet për të saktësuar nëse është lënë ndonjë gjurmë në automjet gjatë spërkatjes apo vendosjes së zjarrit nga personat keqbërës, por nuk ka pasur ndonjë provë të dukshme. Gjithsesi, ata nuk i kanë humbur shpresat deri në përfundimin e analizave laboratorike. Sipas burimeve të policisë mësohet se është pyetur dhe Gjika nga grupi hetimor, por ai ka theksuar faktin se nuk ka dijeni mbi autorët apo shkaqet, pasi nuk ka pasur debate apo mosmarrëveshje me ndokënd. “Unë vetëm mirë kam bërë për qytetarët e mi. Do t’ua lë strukturave të Prokurorisë për ta zbardhur këtë krim, si dhe gjetjen e autorëve”, ka pohuar para grupit hetimor kryebashkiaku i Vlorës. Makina e Gjikës mori flakë rreth orës 03:20 të së martës, pak orë pasi kryebashkiaku do të merrte pjesë në ceremoninë për nisjen e aktiviteteve për jubileun e themelimit të shtetit shqiptar. Persona të panjohur spërkatën me lëndë djegëse mjetin personal të Gjikës dhe më pas i vunë flakën. Makina u shkatërrua plotësisht, ndërsa në vendngjarje nuk u gjetën gjurmë të autorëve. q.b











