Djegia e komunës, arrestohet roja

Sep 14, 2011 | 11:39
Godina e djegur e Komunës Shalë

SHKODER – Roja i godinës në komunën Shalë arrestohet për djegien e saj mëngjesin e së hënës. Policia e Shkodrës ndaloi pas 24 orësh 45-vjeçarin Frrok Mhill Toma, lindur e banues në fshatin Lekaj, në të njëjtën komunë. Ai dyshohet të jetë autori i vënies së zjarrit në godinën e komunës Shalë një ditë më parë. Ky ka qenë konkluzioni i policisë së Shkodrës në lidhje me identifikimin e autorit të vënies së zjarrit, ndërkohë që shkaqet përse e ka bërë një gjë të tillë, janë të paqarta. Pas 24 orë hetimesh, policia e Shkodrës ka arritur të identifikojë dhe më pas të bëjë edhe ndalimin e rojës së godinës si autorin e zjarrvënies në ndërtesën e komunës Shalë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe nga marrja e dëshmive të personave të ndryshëm, Policia e Shkodrës ka arritur në konkluzionin se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe se ai është vënë nga vetë personi që kishte për detyrë ta ruante atë, 45-vjeçari Toma. Në lidhje me këtë ngjarje, Policia e Shkodrës ia ka kaluar dokumentet Prokurorisë së rrethit Shkodër, duke ngritur ndaj Tomës akuzën për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Për këtë ngjarje, dje është prononcuar kryetari i PS-së për rrethin Shkodër, Genc Uruçi, i cili e ka quajtur “fundi i një paralajmërimi të kësaj situate të tensionuar në këtë komunë”. Më tej, Uruçi ka akuzuar Partinë Demokratike si autoren e gjithë asaj çfarë ka ndodhur në komunën Shalë. “Djegia e ndërtesës së komunës Shalë ishte loja e fundit që mund të bënte PD-ja për të manipuluar humbjen në komunën e Shalës”, ka vazhduar më tej Uruçi. “Nga djegia e godinës së komunës Shalë kanë arritur të shpëtojnë shumë dokumente me vlerë, të cilat na kanë rënë edhe neve në dorë dhe që vërtetojnë më së miri aferat korruptive jo vetëm të komunës Shalë, por edhe më gjerë. Në një kohë të mëvonshme, ne do të kemi rast të bëjmë publikimin e tyre”, ka përfunduar prononcimin e tij Genc Uruçi, kryetari i PS për rrethin Shkodër.      r.d

© Panorama.al

Te lidhura