
Djali vret në arë babanë 77- vjeçar, pas një konflikti pronësie. Krimi brenda familjes ndodhi dje rreth orës 14:20 në fshatin Ninësh të komunës Fratar në Mallakastër. Sipas Policisë, 53-vjeçari Shefqet Pashai ka vrarë me kosoren babanë e tij të moshuar, Selman Pashai. Atë e bir kanë qenë duke punuar në arë, kur janë konfliktuar e përleshur, derisa ngjarja precipitoi me viktimë. “Ngjarja ndodhi në luginën e fshatit Ninësh. Babë e bir, shtetasit Selman dhe Shefqet Pashai, përkatësisht 77 dhe 53 vjeç, ishin duke kryer punët e bujqësisë kur kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin. Paraprakisht, dyshohet se motiv i vrasjes të ketë qenë çështjet e pronësisë’, bëri të ditur Policia e Ballshit, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë. Mësohet se 53-vjeçari e ka goditur dy herë në kokë të atin me kosoren që përdoret për korrjen e barit. Viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori ka mundur të largohet me shpejtësi, ndonëse nga përleshja kishte pësuar edhe ai plagë në trup. Ngjarja e rëndë është parë nga larg nga disa bashkëfshatarë të viktimës, të cilët kanë sinjalizuar familjarët, por edhe policinë. Ata mbërritën menjëherë në vend dhe e gjetën të moshuarin të mbuluar me gjak dhe të pajetë. Pas rreth një orë kërkimesh intensive, efektivët e Komisariatit të Ballshit kanë mundur të arrestojnë autorin. Ai kishte tentuar të fshihej në pyllin e fshatit, rreth 2km larg vendit të ngjarjes, por blutë bënë të ditur se në momentin e prangosjes nuk hasën në rezistencën e tij. Bazuar në dëshmitë e personave që kanë parë nga larg skenën, dyshohet se babë e bir kanë debatuar fillimisht dhe më pas janë përleshur me njëri–tjetrin. Kjo dinamikë ngjarjeje mbështetet edhe te plagët që kishte marrë edhe vetë autori i vrasjes. “Pas ngjarjes nga shërbimet e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Mallakastër, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Shefqet Pashai. Nga shërbimet e Policisë, vazhdon kryerja e veprimeve hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, bëri të ditur Policia. Bashkëfshatarët e viktimës kanë pohuar në polici se nuk kishin qenë në dijeni të konflikteve të autorit e të moshuarit, madje ata njiheshin si familje mjaft e qetë në këtë fshat. Mësohet se 53-vjeçari jetonte me prindërit dhe se ai nuk ishte i martuar. Motivi për të cilën mund të ketë ndodhur vrasja dyshohet që të ketë të bëjë me një tokë produktive, të cilën babai donte ta mbillte me një kulturë bujqësore që djali e mendonte se nuk do t’i sillte përfitime. Më pas, djali i ka kërkuar të atit ta menaxhonte i vetëm tokën që i takonte atij.
PRECEDENTI
Një ngjarje e rëndë ndodhi më 5 prill të këtij viti ku djali me të meta mendore vrau me thikë babanë e tij 74-vjeçar. Policia bëri të ditur se Aleko Rrapo, 42 vjeç, qëlloi me thikë babanë e tij, Koli Rrapo, 74 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend. Trupi i viktimës u gjet nga familjarët e tij i pajetë në banesën e tyre që ndodhej në lagjen “Mbrostar Ferko” në Fier.
BALLSH/ MAJLINDA RAMA











