Djali i Remzi Hoxhës i kërkon “ndihmë” Topit

Jan 4, 2012 | 16:55
Ardian Hoxha

Djali i biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha, i cili është zhdukur nga viti 1995, ka kërkuar sot nga ana e presidentit Bamir Topi, që të urdhërojë nisjen e hetimeve ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Ardian Hoxha, në një letër dërguar Presidentit shqiptar, shprehet se, gjyqtarët duhet të hetohen në lidhje me vonesën e shpalljes zyrtare të vendimit të datës 14 tetor, 2011, që e la në fuqi masën e arrestit me burg për Ilir Kumbaron. Duke qenë se ky vendim nuk u zbardh në kohë, Kumbaro përfitoi për t’u arratisur nga vendndodhja e tij në Londër dhe tashmë nuk dihet se ku është. Policia britanike ka lëshuar një urdhër-arrest për të dhe Kumbaro është në kërkim ndërkombëtar.

“Në emër të familjes sime, iu drejtohem Juve si institucioni më i lartë shtetëror, President i Republikës së Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe kryetar i KLD-së, por mbi të gjitha si një nga njerëzit e paktë në skenën politike në Shqipëri që kanë mbetur me dinjitet dhe njerëzi. Babai im, Remzi Hoxha, është i zhdukur që nga data 21 tetor, 1995, nga punishtja e tij në Tiranë, nga zyrtarë të SHIK-ut të asaj kohe. Çdo ditë, për mbi 16 vite, jetojmë në ankth dhe me dhembje të papërshkruar. Për mbi 16 vite asnjëherë nuk ka dalur asnjë zyrtar qeverie që të paktën t’i kërkojë ndjesë familjes sime për atë që na ka ndodhur në mes të kryeqytetit të Shqipërisë. Për më shumë, për 16 vite njerëzit që kanë kryer krimin, të mbështetur nga grupet mafioze politike, përpiqen ta pengojnë zbardhjen e të vërtetës së zhdukjes së babait tim në mënyra nga më të ndryshmet”, thuhet në letër.

Fillimisht, thuhet më tej në letër, u pengua nga Bashkim Gazidede dhe vartësit e tij, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjo Meçe dhe të tjerë, duke zhdukur të gjitha dosjet dhe gjurmët për të cilat ata ishin në dijeni. “Më pas, nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke i emëruar po këta njerëz në krye të institucioneve më të larta shtetërore. Kurse në rastin e fundit edhe nga Kolegji Penal dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Shpresa Beçaj. Me këtë rast, ju lus që të urdhëroni një hetim dhe procedim penal për shkeljet flagrante që Kolegji Penal dhe Gjykata e Lartë, me në krye Shpresa Beçaj, kanë bërë duke mos zbardhur vendimin e datës 14 tetor, 2011, në lidhje me masën e arrestit të Ilir Kumbaros ‘arrest me burg’, gjë që më pas i mundësoi të arratisej nga drejtësia e Britanisë së Madhe”.

Letra në fjalë i është drejtuar edhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë, Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvziu, dhe ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Eugen Uolfarth.(koha)

© Panorama.al

Te lidhura