“Djajtë e kuq” leksion Çelsit, titulli më pranë

May 9, 2011 | 15:13

Mançester Junajtid bën një hap gjigant drejt fitimit të titullit kampion, pasi ka mundur Çelsin me rezultatin 2-1. Ka qenë një ndeshje ku “djajtë e kuq’ arritën që ta zgjidhin që në minutat e para, ndërsa “blutë” e Londrës shpërdoruan një mundësi të artë për të fituar titullin këtë sezon. Me tri pikët e marra, skuadra e drejtuar nga Aleks Ferguson shkon në kuotën e 76 pikëve, me një diferencë prej gjashtë pikësh nga blutë e Londrës. Kur kanë ngelur edhe dy ndeshje deri në përfundim të kampionatit anglez, Mançester Junajtidit i duhet vetëm një pikë për të festuar titullin e 19-të të Anglisë në historinë e tij. Ndërkohë që Çelsi ka nevojë për një mrekulli, të fitojë dy ndeshjet e mbetura dhe “djajtë e kuq”, t’i humbin ato.
Ndeshja – “Djajtë e kuq” e kanë nisur vrullshëm ndeshjen, ndërsa kanë kaluar në avantazh që në minutën e parë. Ishte Hernandez që kaloi vendësit në avantazh në 60 sekondat e para të takimit. Kjo ishte një goditje e rëndë për Çelsin, që nuk e kishte menduar që ndeshja do të merrte një kthesë të tillë. Nga ana tjetër, ka festë në “Old Traford’, ndërsa Mançester Junajtid është afër titullit të 19-të kampion të Anglisë. Miqtë përpiqen të reagojnë, por pa rezultat. Në minutën e 23-të, vjen goditja e dytë për “blutë” e Londrës. Vidiç çon në dy numrin e golave për vendësit, duke realizuar me kokë, ndërsa tifozët nisin të festojnë fitoren. Blutë e kanë të vështirë të gjejnë golin, ndërsa Mançesteri bën gjithçka si duhet. Pjesa e parë mbyllet 2-0. Në 45 minutat e dyta, miqtë kërkojnë të reagojnë. Por ekipi i drejtuar nga Sër Aleks Ferguson bën gjithçka mirë. Shpresat do të rihapen në minutën e 68′-të, kur Lampard shkurton rezultatin. Por vetëm kaq, pasi vendësit kontrollojnë ndeshjen e thyejnë sulmet e bluve, e marrin tri pikë, që i bëjnë të prekin titullin.

© Panorama.al

Te lidhura