Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dha një urim politik dje në Ditën e Verës nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku u zhvilluan disa aktivitete të ndryshme festive, për të shtatin vit radhazi në ditën e kësaj feste pagane. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda, urimi i kryesocialistit ka shkuar për të gjithë ata shqiptarë që sot janë më të varfër, që vuajnë mungesën e një vendi pune. “U uroj të gjithëve gëzuar këtë Ditë Vere dhe në radhë të parë të gjithë atyre që vuajnë, që përballen me papunësinë, me varfërinë, atyre që përballen me ankthin e çmimeve që rriten përditë, ndërkohë që fuqia e lekëve në xhep bie përditë”, tha Rama. Duke e konsideruar Ditën e Verës si nismëtaren e stinës së pranverës, kryesocialisti nuk nguroi t’u uronte shqiptarëve një pranverë të re të mbushur me shpresa për të gjithë shqiptarët. “Qoftë kjo një ditë që paralajmëron një pranverë shprese dhe qoftë pranvera që vjen një fillimi i ri për shqiptarët që e jetojnë dhe nuk kanë ende mundësitë që meritojnë”, tha Rama.











