Dita e të Drejtave të Njeriut dhe OSBE-ja

Dec 10, 2011 | 13:08

EUGEN WOLLFARTH

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut shënoi mesin e shekullit XX. Gjysma e parë e atij shekulli kishte parë luftërat më shkatërruese dhe masakrat më masive që kishin ndodhur deri atëherë në historinë e njerëzimit.  Me miratimin e Deklaratës më 10 dhjetor 1948 në Paris, u hap një faqe e re e një çështjeje të vjetër dhe shumë të rëndësishme: universaliteti absolut i ideve dhe parimeve të të drejtave të njeriut, si mishërohen në Deklaratë. OSBE-ja bazohet gjerësisht në të.
Rëndësia dhe misioni qëndrojnë te vënia në jetë e kësaj Deklarate edhe në qoshen e fundit e më të thellë të planetit. Që prej vitit 1948, një sërë konventash ndërkombëtare dhe rajonale, si Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, kanë përforcuar e thelluar angazhimet dhe detyrimet ligjore të shteteve për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve që jetojnë në vendet e tyre. Në fakt, këto parime fisnike, duke filluar që nga e drejta për jetën, barazia para ligjit dhe e drejta për liri dhe siguri e personit, janë transformuar në gjithë botën në të drejta dhe detyrime ligjore konkrete dhe të patjetërsueshme.
Në shekullin XXI, në vendet perëndimore, përmendja e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut është bërë shumë e zakonshme, duke u shndërruar në një moto politike me të cilën të gjithë duket se bien dakord. A nuk jemi ne, në fakt, të gjithë të angazhuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut? Megjithatë, mbrojtja e vërtetë e të drejtave të njeriut kërkon më shumë se thjesht vullnet të mirë dhe një kuadër ligjor të hollësishëm. Ajo është diçka që duhet të bëhet pjesë e jetës sonë, duke filluar nga vetë familjet tona.
Në dimensionin njerëzor, OSBE-ja promovon nivelin më të lartë të angazhimeve, që shumë herë shkon përtej instrumenteve të detyrueshme ligjore të të drejtave të njeriut. Në rolin e saj avangard, dimensioni njerëzor i OSBE-së bën lidhjen e të drejtave të njeriut me sistemin institucional dhe politik të një shteti modern: pluralizmi demokratik i bazuar në shtetin e së drejtës është i vetmi sistem qeverie i përshtatshëm për të garantuar në mënyrë efikase të drejtat e njeriut. Si rrjedhojë, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore janë, ashtu siç shprehet edhe Karta e Parisit e vitit 1990, “përgjegjësitë parësore të qeverisë”.
Shqipëria, si shtet pjesëmarrës i OSBE-së, u është përmbajtur këtyre angazhimeve, që përfshijnë respektimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e lirisë së shprehjes, parandalimin e torturës dhe parimin e mosdiskriminimit. Shqipëria ka treguar përkushtimin e saj për respektimin e të drejtave të njeriut përmes ratifikimit të pjesës më të madhe të instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe duke mishëruar në Kushtetutë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ashtu si në çdo vend të botës, kjo është një detyrë e vazhdueshme që ka nevojë për mbështetjen e plotë të të gjitha institucioneve shtetërore dhe mbështetjen, për të mos thënë kërkesën, e qytetarëve.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ofron mbështetje për përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së nga Shqipëria dhe, në veçanti, për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të individit. Mbrojtja e të drejtave të njeriut përfshin ofrimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e zbatimit të parimeve të të drejtave të njeriut. Kushtetuta e vitit 1998 krijoi Zyrën e Avokatit të Popullit për të “mbrojtur të drejtat, liritë dhe interesat legjitime të individit”, duke i dhënë kësaj zyre kompetenca të gjera hetimi dhe të drejtën për të bërë rekomandime, në rast konstatimi shkeljesh të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky institucion, i mbështetur nga OSBE-ja, ka fituar besimin e publikut të gjerë dhe ka kontribuar në përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore shqiptare. Prandaj, është thelbësore që zyra e Avokatit të Popullit të mbetet e fortë, përmes caktimit të një drejtuesi të ri dhe që të gjitha institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit, për të pasur një situatë më të mirë lidhur me të drejtat e njeriut në praktikë.
Gjithashtu, Kushtetuta e vitit 1998 shfuqizoi dënimin me vdekje. Ky ishte një hap vendimtar që dha sinjalin e qartë për të mbrojtur më themeloren e të gjitha të drejtave të njeriut, të drejtën e jetës. Le të theksojmë se detyrimi i një shteti për të respektuar të drejtën e jetës së gjithë individëve është e drejta më thelbësore nga të gjitha. Nëse dikujt do t’i mohohej në mënyrë arbitrare e drejta e jetës, të gjitha të drejtat e tjera do të ishin thjesht një iluzion. Shtetet dhe komunitetet e shteteve kanë sot detyrimin që ta mbrojnë jetën, dhe jo të marrin jetë. Mbrojtja e jetës i detyron gjithashtu shtetet që të verifikojnë dhe, kur është e nevojshme, të hetojnë të gjitha rastet e vdekjeve, duke siguruar kështu vënien para llogarisë të personave përkatës. Ashtu siç deklaron edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ajo çka “vihet në lojë nuk është asgjë më pak sesa besimi i publikut te monopoli i shtetit për përdorimin e forcës”. Veçanërisht shqetësuese kanë qenë disa raste të raportuara të dhunës në familje vitin e kaluar, të cilat rezultuan në vrasje, duke dëshmuar nevojën për politika më të forta sociale dhe për mekanizma ligjorë më efikasë. Unë tashmë e kam thënë publikisht, dhe ia vlen që ta ritheksoj në mënyrë që të respektohet plotësisht: mbrojtja e të drejtave të njeriut është edhe detyrë e çdo qenieje njerëzore, ajo fillon te familja e gjithsecilit. Shpeshherë thuhet se një shoqëri duhet gjykuar nga mënyra se si i trajton anëtarët e saj më të dobët, fëmijët. Nëse individi dështon, shteti duhet të ndërhyjë. Nëse shteti dështon vazhdimisht, atëherë hyn në lojë komuniteti ndërkombëtar.
Një tjetër grup i cenueshëm në shoqërinë shqiptare mbetet komuniteti rom. Ndonëse Shqipëria u bë pjesë e Dekadës së Përfshirjes së Romëve për periudhën 2005-2015 dhe miratoi Planin Kombëtar të Veprimit, romët vazhdojnë të jenë një grup i përjashtuar, që përballet me diskriminim, sidomos sa i përket mundësisë për arsimim, punësim dhe kujdes shëndetësor. Vetëm mundësia e plotë për t’i gëzuar këto drejta do ta bëjë komunitetin rom të aftë për të kontribuuar në mënyrë kuptimplote për shoqërinë shqiptare.
Të cenueshëm janë gjithashtu edhe ata persona të arrestuar apo të dënuar, të cilët, ndërsa janë të privuar nga liria e tyre, mbeten nën mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. Në Shqipëri janë marrë hapa të rëndësishëm për të mbrojtur të ndaluarit dhe të burgosurit nga torturat dhe keqtrajtimi. Përveç kësaj, janë përmirësuar kushtet në burgje dhe mjediset e paraburgimit dhe mbipopullimi i tyre, që deri vetëm pak vite më parë ishte një fenomen dominues, tashmë është zvogëluar. Kjo mund të shihet si rezultat i përdorimit më të madh të dënimeve alternative dhe ngritjes së sistemit të shërbimit të provës. Është me rëndësi që Shqipëria të vazhdojë të ndjekë këtë rrugë, duke përmirësuar më tej kushtet e rënda në burgje, qendrat e paraburgimit dhe stacionet e policisë, dhe duke u kushtuar vëmendje të veçantë të burgosurve që vuajnë nga sëmundje mendore.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vëren shumë tregues që dëshmojnë se mbrojtja e të drejtave të njeriut është në krye të përpjekjeve të Shqipërisë dhe se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të integruar parimet e të drejtave të njeriut në politikat e saj në zbatim të një kuadri ligjor modern dhe shumë të vlerësuar. Për këtë qëllim, si dhe për të garantuar mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut, nevojiten ende hapa të rinj e të guximshëm nga ana e Shtetit.
Më lejoni t’ju ftoj edhe një herë të gjithëve të mos harrojmë se, në nivel individual, ndonëse nga njëra anë gëzojmë të drejtat tona të njeriut, ne duhet që në çdo moment të respektojmë edhe të drejtat që gëzojnë të tjerët. Ne, si individë, mund të ndihmojmë në mënyrë aktive për të sjellë një ndryshim.
* Ambasador, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

© Panorama.al

Te lidhura