“Dita e parë në qeli ishte tronditëse” – Kardiokirurgu Edvin Prifti rrëfen eksperiencën e tij në burg: Nuk e mendoja kurrë se mund të ndodhte një gjë e tillë

Nov 21, 2025 | 23:03

Mjeku kardiokirurg Edvin Prifti ka folur hapur për periudhën më të vështirë të jetës së tij, gjatë intervistës në emisionin “Kjo Javë”, ku riktheu kujtimet nga momenti kur u përball me drejtësinë dhe u burgos për tre javë në paraburgimin e Tiranës.

Prifti u ndal te dita e parë në qeli, një moment që e përshkroi si “shokues”, teksa u gjend në një dhomë me 10 persona, në kushte të cilat i konsideron shumë larg asaj që deklarohet zyrtarisht.

“Nuk e mendoja kurrë se do më ndodhte një gjë e tillë”

I pyetur nga moderatorja Nisida Tufa, ai u shpreh se asnjëherë nuk e kishte imagjinuar se do përfundonte në qeli, por sipas tij, gjithçka nisi kur ai filloi të shprehte hapur mendimet e tij për COVID-in dhe vaksinat.

“Kisha një vit që nuk mund ta ndaloja veten nga të thënit të vërtetat e mia. Sot, pas 5 vitesh, një pjesë e madhe e tyre kanë rezultuar të sakta,” – u shpreh Prifti.

Ai tregoi se ka pasur gjithmonë marrëdhënie të mira profesionale dhe se ka ndihmuar këdo që i ka kërkuar ndihmë, duke shtuar se situata e tij i kujtoi historinë e familjes në vitet e para pas Luftës.

“Momenti më i vështirë ishte dita e parë. Na futën në një qeli me 11 veta. Në korridor kishte 10 dhoma, secila me nga 10 burra, dhe jo të gjithë kishin krevat. Kushtet nuk janë aspak siç thuhen”, tha ai.

Ai tha se në burg, njeriu “ndjehet i fyer dhe i shtypur”, duke shtuar se ky është pikërisht qëllimi i sistemit.

Megjithëse përjetoi një situatë të rëndë, Prifti tha se ka marrë mbështetje morale nga kolegët e tij:

“Kam ndjerë dashamirësi dhe keqardhje. Kur dola nga burgu, më pritën me buqeta me lule, më ftuan për një ëmbëlsirë.”

Edvin Prifti: Unë nuk e mendoja kurrë se mund të ndodhte një gjë e tillë. Unë kam patur raporte të mira me këdo, jam munduar të ndihmoj kush më ka kërkuar ndihmë. Kam qenë i përgatitur kur jeton në Shqipëri. Një eksperiencë kishte ndodhur me familjen time, me gjyshin tim në vitet e para të pasluftës.

Unë kisha një vit që nuk mund ta shbëja dot veten time dhe të mos thoja të vërtetat e mia dhe opinionet e mia. Sot pas 5 vitesh kanë rezultuar të vërteta një pjesë e mirë e tyre.

Kolegët në punë i zgjedh qeveria, duhet të kesh raporte të drejta.

Unë mund të them se kam ndjerë dashamirësi dhe një lloj keqardhje. Ky është një ndjesi e imja. Kur kam dalë nga burgu, kanë ardhur me buqeta me lule, më kanë ftuar të hamë një ëmbëlsirë.

Në burg t’i ndjehesh i fyer, i shtypur,  në fund të fundit këtë qëllim ka.

Momenti më i vështirë, dita e parë kur na kanë futur në një qeli me 11 veta dhe kushtet në burgje nuk janë ato që thuhen, unë kam asistuar në një korridor me 10 dhoma, dhe në secilën prej tyre kishte 10 burra, dhe s’kishte as krevatë për secilin

 

© Panorama.al

Te lidhura