Flamurtari do të zbresë në fushën e lojës për javën e 33-të dhe të fundit të Superiores, me dhjetë pikë diferencë ndaj Skënderbeut. Ky është vendimi i marrë dje në mbledhjen e Komisionit të Disiplinës.
Arsyeja: Disiplina ka ndëshkuar vlonjatët, jo vetëm me humbje të ndeshjes në tavolinë, çka realisht pritej, por edhe me zbritje të tri pikëve nga renditja aktuale për shkak të bojkotit në ndeshjen me Vllazninë. Kështu, nga 66 pikë, në 32 javë të luajtura: 21 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje (përfshi këtu edhe atë të dhënë nga Disiplina me Vllazninë), Flamurtari do të ketë 63 pikë, ose thënë ndryshe: 10 pikë më pak se Skënderbeu, tashmë i shpallur kampion i ri i Superiores për këtë sezon. Veç kësaj, klubi vlonjat është ndëshkuar edhe me 10 milionë lekë gjobë.
Vendimi – “KF Flamurtari, për braktisje të ndeshjes me KF Vllazninë humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, i zbriten tri pikë nga klasifikimi, si dhe gjobitet me 1 milion lekë (të reja), në bazë të nenit 56/1 të KDS-së. Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 3 (tri) ditëve në Komisionin e Apelit”, shkruhej në vendimin e publikuar dje nga Disiplina. Kjo ka bërë që edhe Apelimi i bërë nga Flamurtari për vendimin e Disiplinës për ndeshjen me Laçin, edhe sikur të jetë në favor të vlonjatëve: pra t’u jepen tri pikë në tavolinë, të mos ndryshojë dot asgjë në renditje përkundrejt Skënderbeut. Në këtë mënyrë, Flamurtari bëhet klubi i tretë për këtë sezon në Superiore, që ndëshkohet me humbje të ndeshjes në tavolinë dhe me zbritje të pikëve. Më parë ishte dënuar Besa (pati humbur 2-0 në tavolinë ndeshjen e javës së parë ndaj Skënderbeut për incidente dhe ndërprerje të ndeshjes në minutat e fundit) dhe Elbasani (për shkak të mospagimit të rrogës së ish-sulmuesit të saj, Darko Periç, u dënua nga FIFA me zbritje të tri pikëve).
Bojkoti – Në ndeshjen e javës së 32-të, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Flamurtari luante gjithçka, pasi me shpresën nga Apeli (priste që t’i jepte 3 pikët për ndeshjen me Laçin), ishte ende në lojë për titullin kampion. Natyrisht, vlonjatëve u duhej vetëm fitorja, të cilën e arritën që në minutën e 7-të falë golit të Daniel Xhafës. Por, në minutën e 89-të arbitri Bardhyl Pashaj akordoi një penallti skandaloze për shkodranët (dhe për këtë gabim më pas u dënua me pezullim 10 ndeshje), aq sa vlonjatët të pezmatuar nuk pranuan të vazhdonin më lojën, duke e bojkotuar. Por, natyrisht në të tilla raste pas nxjerrjes me karton të kuq të kapitenit dhe zv. kapitenit të Flamurtarit, arbitri ndërpreu takimin, duke e konsideruar si bojkot të Flamurtarit.
Korçarët
KF Skënderbeu i ka kërkuar zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit të ndryshojë orari i ndeshjes së javës së 33-të ndaj Flamurtarit. Takimi është programuar të luhet në orën 16:00, por korçarët kanë kërkuar që të luhet në orën 13:00. Arsyeja: drejtuesit duan që skuadra të ketë mundësi të kthehet sa më shpjet nga Vlora, me qëllim që të mund të fillojnë festën e titullit kampion. Kupa, e cila do të ngrihet në Vlorë dhe më pas do të transferohet drejt Korçës, ka shumë gjasa që të mbërrijë në qytet me një helikopter.
Leonard Karaj
© Panorama.al











