Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka ndëshkuar rëndë KF Pogradecin për dhunën e ushtruar ndaj arbitrit Enea Jorgji, në fund të takimit me Teutën. Arbitri dhe njëri nga anësorët u goditën në tunel dhe në dhomat e zhveshjes, për shkak të akordimit të një penalltie në minutat e fundit në favor të durrsakëve. Pasi ka shqyrtuar materialet, që i referohen ndeshjes dhe problematikës në fjalë, Komisioni i Disiplinës ka dhënë edhe vendimin përkatës, duke i dhënë një “grusht” të fortë Pogradecit, pak a shumë sikurse bëri edhe ndaj Laçit për atë që ngjau me kryesorin Lorenc Jemini, në ndeshjen ndaj Kastriotit. Kështu, skuadrës pogradecare i janë hequr 3 pikë nga renditja, ndërsa ndeshjet e mbetura të kampionatit duhet t’i luajë jashtë fushës së vet dhe pa praninë e spektatorëve. Fjala është për ato ndeshje, që skuadrës liqenore, sipas kalendarit, i takonin t’i luante në stadiumin e vet. Këto të fundit, të gjitha do t’i luajë në fushë asnjanëse, në të cilat janë të ndaluar të marrin pjesë tifozët. Po ashtu, dënim i ashpër ka ardhur edhe për trajnerin e Pogradecit, Ylli Çekiçi, i cili është pezulluar 8 javë nga të gjitha aktivitetet, ndërsa ka marrë edhe një gjobë 1-milionëshe (të vjetra). 6 ndeshje pezullim janë dhënë për sulmuesin kosovar të Pogradecit, Eminhazeri, 4 ndeshje pezullim për Drazhanin dhe 1 milionë lekë të vjetër gjobë për këtë të fundit. Lojtarët në fjalë janë dënuar për fyerje të zyrtarit të ndeshjes Pogradeci-Teuta 1-2. Dënime disiplinore me pezullim janë dhënë edhe për Armando Vajushin e Vllaznisë, dhe Endri Lalën e Dinamos, nga 3 ndeshje për secilin, për shkak se kanë fyer dhe goditur njëri-tjetrin në ndeshjen e javës së kaluar të Superiores, Vllaznia-Dinamo 2-1.
Shkëmbi: Vendimi, urdhër i kreu të FSHF-së
Kryebashkiaku i Pogradecit, Artan Shkëmbi, akuzon direkt kreun e FSHF-së, Armand Duka, si urdhëruesin e dënimit të Pogradecit. Shkëmbi jep argumente, edhe sepse gjithçka ishte e parapërgatitur për dënimin. “Fakti që trajneri ynë nuk u lejua të martën nga zyrtarët e FSHF-së për të drejtuar skuadrën në ndeshjen ndaj Kamzës, tregon qartë se gjithçka ka qenë e parapërgatitur. Në këto kushte, unë nuk jam aspak i befasuar nga vendimi që është marrë sot (dje). Trajneri nuk është lejuar të drejtojë ekipin, por as futbollisti Eminhazeri që të qëndrojë në pankinë, sepse u është thënë që meqë do dënohen nesër (sot), nuk mund të qëndrojnë në pankinë”, ka pohuar Shkëmbi.











