Gjoba pa kursim, fusha të pezulluara, stadiume të mbyllura, ndeshje të dhëna në tavolinë, por ka edhe pezullime deri në dy vjet nga të gjitha aktivitetet futbollistike. Të gjitha këto janë dhënë dje nga Komisioni i Disiplinës, i cili pasi ka verifikuar të gjitha materialet e ardhura në adresë të tij nga vëzhguesit, delegatët e ndeshjes dhe arbitrat, ka marrë masa për secilin rast. Kështu, nuk ka shpëtuar nga gjoba KF Skënderbeu, ashtu sikundër edhe KS Tomori për gjithçka ndodhi në stadiumin e Lushnjës në ndeshjen me Dinamon. Gjithashtu, është dënuar edhe Apolonia për thirrjet ofenduese të tifozëve ndaj treshes arbitrare, si dhe një sërë zyrtarësh dhe lojtarësh në kategoritë inferiore. Kanë qenë tri klubet e Superiores, të cilat janë ndëshkuar me gjoba nga Disiplina. Më keq, për sa i përket anës financiare, u ka shkuar fierakëve, klubi i të cilëve është dënuar me 700 mijë lekë (të rinj) gjobë. Por, të paktën Apolonia nuk do luajë jo vetëm në fushë asnjanëse, por edhe pa tifozë sikundër KS Tomori, i cili në bazë të vendimit të djeshëm do jetë i detyruar të zhvillojë katër takimet e radhës (bëhet fjalë për ndeshjet ku presupozohet që beratasit janë pritës) pa praninë e tifozëve të tij. Ndërkohë, vazhdon penalizmi i KS Skënderbeut nga ana e Disiplinës, për shkak të problemeve që kanë sjellë tifozët korçarë. Kështu, pas gjobës 15 milionë lekëshe (të vjetër), të marrë për ndeshjen Skënderbeu-Tirana (Superkupë) dhe pas gjobës 3 milionë lekëshe (të vjetër) të marrë për Skënderbeu-Tomori, korçarët do jenë të detyruar të paguajnë edhe një 3-milionësh tjetër, për problemet në ndeshjen ndaj Shkumbinit. Në pak fjalë, në vetëm 3 ndeshje klubi bardhekuq ka marrë 21 milionë lekë gjoba për shkak të tifozëve të vet. Disiplina ka marrë në shqyrtim dhe ka dënuar edhe shumë klube tek inferiorët. Kështu, KS Vlora, KF Elbasani dhe shumë klube të tjera kryesisht te moshat (U-17 dhe U-19), pasi janë kaluar në skanerin e anëtarëve të Disiplinës, janë dënuar sipas rastit. Dënimi më i rëndë i komisionit ka qenë ndaj lojtarit të U-19 të Bilishtit, Naldi Spaho, i cili për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes është dënuar me dy vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe 15.000 lekë (të rinj) gjobë.











