Diplomati rus paralajmëron BE-në: Përdorimi i aseteve të ngrira për të financuar Ukrainën do të kishte pasoja shumë serioze për Unionin !

Dec 6, 2025 | 16:22

Përdorimi i aseteve ruse të ngrira në Evropë për të siguruar financim për Kievin do të kishte “pasoja shumë serioze” për Bashkimin Evropian.

kremlini rusi

Kështu paralajmëroi Sergei Nechayev, ambasadori rus në Gjermani, ndërsa kancelari gjerman dhe kryeministri belg diskutuan këtë mundësi.

“Çdo veprim që përdor fondet shtetërore ruse pa pëlqimin e Rusisë, do të ishte vjedhje. Dhe është e qartë se vjedhja e fondeve shtetërore ruse do të ketë pasoja shumë serioze”, tha ambasadori i Rusisë në Berlin, Sergei Nechayev, në komentet e siguruara nga Agence France-Presse.

Për diplomatin rus, reputacioni i BE-së në botën e biznesit është në rrezik të “shkatërrohet”, qeveritë evropiane përballen me “padi të pafundme” dhe duke hapur rrugën për “anarki ligjore dhe shkatërrim të sistemit financiar global”, me Evropën si viktimën e parë.

“Jemi të sigurt se Brukseli dhe Berlini e kuptojnë këtë”, shtoi ai.

Takimi Merz-De Wever në Belgjikë

Kancelari gjerman Friedrich Merz udhëtoi për në Belgjikë mbrëmë, si pjesë e përpjekjeve të tij për të “bindur” kryeministrin belg Bart De Wever që të pranojë planin e Komisionit Evropian për të përdorur fondet e ngrira ruse për të mbështetur Kievin, me të pranishme edhe Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen.

Në një postim në X, pas këtij takimi, Merz foli për një shkëmbim pikëpamjesh “shumë konstruktiv”.

“Cenueshmëria e veçantë e Belgjikës në lidhje me çështjen e përdorimit të burimeve të ngrira ruse është e padiskutueshme dhe duhet të adresohet në një mënyrë që të gjitha shtetet evropiane ta marrin rrezikun në mënyrë të barabartë”, tha kancelari gjerman.

Raund i ri bisedimesh deri në Samitin e 18-19 dhjetorit

Udhëheqësit ranë dakord të “vazhdojnë bisedimet e tyre me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje së bashku” deri në samitin e 18 dhe 19 dhjetorit, tha zëdhënësi i Merz, Stefan Cornelius.

Ukraina po vihet në provë, si në fushat e betejës ashtu edhe në atë diplomatike, ndërsa Donald Trump ushtron presion për t’i dhënë fund luftës dhe zëra në Kiev dhe Bruksel e akuzojnë atë se favorizon Rusinë, ushtria e së cilës pushtoi territorin ukrainas në shkurt 2022.

Kundërshtimet e Belgjikës ndaj planit të Komisionit

Komisioni ka paraqitur një plan për përdorimin e fondeve ruse të ngrira në juridiksionin evropian, por deri më tani ka hasur kundërshtime nga Belgjika, pasi ky është vendi ku ndodhet Euroclear, depozita e letrave me vlerë ku ndodhen rreth 210 miliardë euro fonde ruse të ngrira, nga një total prej 235 miliardësh në BE.

Pothuajse katër vjet pas fillimit të luftës, Brukseli po kërkon një mekanizëm që nuk do të rrezikojë euron dhe gjithashtu nuk do të rrezikojë fondet evropiane jashtë vendit.

Për ambasadorin rus në Berlin, fakti që BE-ja po kërkon të përdorë asetet në pronësi të Rusisë tregon se evropianët nuk kanë “burimet e mëdha” që do të nevojiteshin që Ukraina të vazhdonte luftën.

© Panorama.al

Te lidhura