Dinamo mbetet në “ngrirje”, dorëhiqet trajneri Sejdini

Nov 19, 2011 | 11:07

Dinamo është mundur edhe në ndeshjen e javës së 9-të të kategoprisë superiore, brenda në fushën e sajm prej Kastriotit, duke mbetur sërish në “ngrirje”. Sepse ka minus 1 pikë në renditje, pas heqjes së 3 pikëve, që i bëri FIFA klubit kryeqytetas, për shkak të mosshlyerjes së një futbollisti të vet të huaj në të shkuarën e afërt. Një gol i realizuar nga Jetmir Sefa, mesfushori kryeqytetas i Kastriotit, në minutën e 87-të të ndeshjes së të premtes, ka fundosur shpresat e bluve, që po mbaheshin deri në atë moment, pa pësuar. Por, ky moment i lojës ka dërguar në “qiellin e shtatë” krutanët, ndërsa ka vulosur përfundimisht edhe dorëheqjen e trajnerit Faruk Sejdini nga Dinamo, të cilën e lë në vendin e fundit, me minus 1 pikë. Ashtu si në vjeshtën e vitit 2002, kur “Xhaxhi” do të merrte xhaketën e tij, të hedhur supit, për t’u nisur drejt shtëpisë, i divorcuar nga Dinamo, edhe të premten e 18 nëntorit 2011 ka bërë të njëjtën gjë. Tepër i lodhur dhe i mërzitur për stanjacionin e skuadrës dinamovite, por edhe nga pengesat e panumërta që ka ndeshur këtë sezon, Faruk Sejdini ka deklaruar dorëheqjen e tij, menjëherë pas humbjes me Kastriotin në “Qemal Stafa”, teksa ka pohuar me zemër të thyer: “Nuk kam çfarë t’i bëj më kësaj skuadre. Sikur të mos mjaftonin qindra pengesa, edhe fati na është vënë kundër, si në ndeshjen e sotme me Kastriotin. Unë po largohem, me shpresën se dikush tjetër, që do të më pasojë në krye të Dinamos, do ta nxjerrë këtë skuadër nga kriza”.
Kujtojmë se në vitin 2002, Sejdini u shkarkua nga ish-presidenti Mihal Delijorgji, që sot është në burg për çështjen e Gërdecit. Asokohe, i ashtuquajturi “Xhaxhi” lëshoi një batutë të famshme në ikje, “të rrojë teqeja, se hoxhallarë ka sa të duash”. Kësaj here nuk mundi ta thoshte më një batutë të tillë, sepse bashkë me hoxhallarët, po merr fund edhe “teqeja” te Dinamo.

© Panorama.al

Te lidhura