Presidenti George Walker Bush shpalli në vitin 2004 doktrinën e rimodelimit të botës arabe gjatë fjalimit të tij në Kongresin Amerikan, ku u shpreh: “Ne mbështesim progresin demokratik në botën arabe për një arsye praktike, demokracitë nuk i mbështesin terroristët dhe nuk e kërcënojnë botën me armë të shfarosjes në masë”. Qëllimi kryesor i administratës “Bush” asaj kohe dhe që u mbështet nga pasardhësi i tij, Obama, ishte shpërndarja e sistemit demokratik nga Lindja e Mesme deri në Azinë e Largët. Iraku do të shërbente si një model politik i vendosjes së sistemit demokratik pas rënies së Sadam Huseinit. Ideja u zbeh shpejt, bota arabe reagoi ashpër ndaj ndërhyrjes amerikane në Bagdad dhe në Afganistan duke ngjallur një ndjenjë antiperëndimore. Por lëvizjet për demokraci në botën arabe e kthyen pa dashur George W. Bush në një lloj presidenti vizionar dhe me një strategji, e cila po jep frytet e saj.
Përtej këtij argumentimi, ndryshimet në Tunizi, Egjipt, Libi dhe lëvizjet e protestuesve i kapën të papërgatitura dhe në befasi kancelaritë perëndimore, duke dëshmuar se demokracia dhe ndryshimet politike imponohen gjithmonë nga brenda vendit dhe aktorët e jashtëm vetëm i influencojnë ato.
Fitoret e njëpasnjëshme elektorale të formacioneve politike islamike në Egjipt, Marok, Tunizi ngrenë një sërë pikëpyetjesh mbi proceset e lëvizjeve të quajtura “revolucione” në kuadër të “pranverës arabe”. Duke qenë se lëvizjet politike në fjalë janë ende në zhvillim e sipër, është e vështirë t’i analizosh dhe të nxjerrësh konkluzione të plota, por mund të nxirren në pah bilancet e para politike të këtyre zhvillimeve në vendet përkatëse.
Në rend të parë na duhet të parashtrojmë pyetjen nëse këto lëvizje politike në proces mund të cilësohen si “revolucione politike”. Terminologjia e fjalës revolucion nënkupton shkatërrimin e një sistemi politik dhe social me dhunë duke e zëvendësuar atë me një sistem tjetër politik. Impakti politik dhe ekonomik që sollën lëvizjet politike në vendet arabe, sipas të gjitha gjasave, kanë për të vazhduar me të njëjtin efekt edhe për vitet e tjera që do të pasojnë. Vetëm përfundimi i procesit të lëvizjeve politike do të mund të na mësojë nëse ishim me të vërtetë përballë një revolucioni të mirëfilltë ose jo. Pra është e parakohshme të flitet për “revolucione”. Rasti i Marokut, Tunizisë dhe Egjiptit na mësojnë se jemi përballë një lëvizjeje për të zëvendësuar drejtuesin, por jo regjimin politik dhe formën kushtetuese të regjimit. I vetmi rast revolucioni të mirëfilltë ishte Libia, sepse u shkatërrua plotësisht një sistem politik, i cili arriti kulmin e vet me ekzekutimin e diktatorit Gedaf.
Ne jemi dëshmitarë të një lëvizjeje të paprecedentë për të drejtat politike dhe lirinë e mendimit dhe të shprehurit në vendet arabe, të cilat thyen përfundimisht muret e frikës që mbanin të murosur popullatat qëkurse në Afrikë dhe në botën arabe nisi lufta kundër dekolonizimit dhe shpallja e pavarësisë nga perandoritë e vjetra europiane. Në vitin 2011 këta popuj nuk mund të duronin dot varfërinë e shkaktuar nga një krizë ekonomike që kishte zënë rrënjë prej 2008-s. Nuk ishte rastësi që lëvizja politike kundrejt pushtetit në vendet arabe nisi nga periferia, zona të thella rurale dhe përfundoi në metropolet kryesore të pushtetit.
Efekti “domino” i parashikuar nga gazetarë dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk ndodhi, por u prekën vetëm pesë vende të botës arabe. Termi i përzgjedhur për të simbolizuar këto lëvizje si “pranvera arabe” ishte e nxituar. Lëvizjet politike në botën arabe nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me lëvizjet e popujve europiane në mesin e shekullit të 19-të, e njohur në histori si “pranvera e popujve”. Ndryshe nga “pranvera e popujve”, ku popujt europianë kërkonin ndryshimin e sistemeve monarkike të vendosur nga Kongresi i Vjenës në shekullin e 19-të (lëvizje të cilat u shtypën dhe prej të cilave lindën idetë e liberalizmit dhe nacionalizmit), në vendet arabe kërkohej demokraci dhe, si pasojë, ndryshoi vetëm lidershipi dhe jo forma e regjimit.
Arsyet sociale dhe politike të revoltave në vendet arabe nuk kanë të njëjtin efekt në të gjitha vendet ku u zhvilluan. Çdo shtet dhe komb nuk mund të reagojë në mënyrë të njëjtë me fqinjët e vet për arsye të historisë së tij, zhvillimit ekonomik dhe social dhe raporteve të forcës që ekzistojnë brenda koniunkturave politike të vendit.
Lëvizjet e “pranverës arabe” në këtë fund viti 2011 po njohin vjeshtën politike, madje mund të afirmojmë se po kalojnë një dimër islamik. Tre prej katër vendeve që u prekën prej “lëvizjes së pranverës” drejtohen nga qeveri të drejtuara nga parti islamike.
Ishte e logjikshme që formacionet islamiste do të ishin më të favorizuara në këtë proces politik. Sepse ato kishin mëshiruar përgjatë këtyre viteve opozitën konkrete që kishte kundërshtuar regjimet politike në Egjipt, Tunizi, Marok, Libi. Opozita laike, e cila jetonte dhe organizohej në mërgim për vite me radhë kishte qenë e izoluar dhe e shkëputur nga realiteti politik i qytetarëve. Në Egjipt, “Vëllezërit myslimanë” ka qenë opozita e vetme e organizuar si një formacion politik me lidhje të forta, e cila ka pësuar një persekutim të ashpër politik nga regjimi i Presidentit Mubarak, edhe pse ky i fundit mbante lidhje të fshehta me këtë organizatë për të ndikuar direkt te Hamasi në Palestinë.
Vëllezërit myslimanë, të pranishëm politikisht, në shumë vende zhvilluan një lloj islamizmi kombëtar duke iu përshtatur realitetit të shoqërive dhe shtetet ku vepronin me qëndrime politike të favorshme për të krijuar koalicione qeverisëse, kryesisht me nacionalistët dhe socialdemokratët. Këtë e dëshmojnë qartë koalicionet qeveritare në Egjipt, Tunizi dhe në Marok. Ky pragmatizëm politik përbën një element pozitiv për vendosjen progresive të sistemeve politike pluraliste dhe demokratike, edhe pse këto të fundit, si model, nuk janë parë me interes nga islamikët.
Ata që menduan se demokracia është një sistem i cili mund të eksportohet me gjithë dëshirën dhe vullnetin e fortë ndërkombëtar për të implementuar sisteme demokratike, gabuan. Rasti i Irakut dhe Afganistanit dëshmojnë se gjendemi përballë një dështimi të idesë të implementimit të demokracisë. Opsioni tjetër në këtë valë lëvizjesh politike në botën arabe është implementimi i disa vlerave me karakter universal; si barazia midis burrit dhe gruas, e drejta për t’u shprehur dhe e të menduarit, liria e besimit, zgjedhjet e lira dhe alternanca politike janë më të realizueshme si objektiv politik.
Të gjitha opsionet e mundshme na çojnë drejt modelit politik turk sepse vullneti i qeverive të reja islamike më sipër janë të orientuara realisht drejt modelit politik turk të qeverisjes, edhe pse është e gabuar të mendosh që ky model mund të jetë i suksesshëm për botën arabe. Islami politik ndodhet në një fazë interesante të zhvillimit të tij pas fundit të mitit të Al-Kaedës dhe dështimeve të disa modeleve politike islamike që ekziston në Sudan, Iran dhe Afganistanin e talebanëve.
Turqia është një republikë me jetëgjatësi 100-vjeçare, me një tranzicion demokratik të kryer pas Luftës së Dytë Botërore dhe për asnjë çast nuk duhet harruar që sistemi demokratik turk ka pësuar gjatë periudhave të ndryshme historike ndërhyrje të shpeshta ushtarake. Qytetarët turq kanë përvojën e praktikës demokratike të institucioneve dhe demokracisë në vend, dhe Turqia mbetet një burim refleksioni i pjekurisë demokratike me një status të dorës të parë në Lindjen e Mesme.
Vendet arabe kanë një histori dhe eksperienca të ndryshme nga modeli që duan të implementojnë. Në opinionin botëror po shtohet shqetësimi se në botën arabe despotizmi ushtarak po ia lë vendin një lloji tjetër despotizmi, atij islamist. Në zgjedhjet e para të organizuara pas “pranverës arabe”, partitë islamiste janë fitueset reale të zgjedhjeve. Në Tunizi 40% e popullatës votoi për Partinë Islamiste, në Egjipt 65% e popullatës votoi për Vëllazërinë Myslimane dhe Salafiste, ndërkohë që në Marok islamistët e Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit fituan 27% të elektoratit, duke fituar të drejtën e qeverisjes së vendit.
Të mos harrojmë se ishte vëllazëria myslimane në Egjipt që tentoi të vriste Naserin në 1954-n duke kryer akte terroriste, ndërsa në Tunizi, islamistët, në vitet 1980, hidhnin acid në këmbët e vajzave të Universitetit të Tunzit sepse mbanin funde të shkurtra sipas tyre. Në Europë këto lëvizje islamiste nuk njihen as për mbrojtjen e vlerave universale, as për mbrojtjen e minoriteteve fetare, as për të drejtat e grave në një shoqëri pluraliste.
Kjo është edhe arsyeja përse islamistët janë drejtuar drejt një politike dhe një modeli politik islamist turk, i cili është kthyer në një model politik reference për faktin se përputh aspiratën dhe vlerat islame me demokracinë parlamentare, të qenit anëtar i NATO-s dhe vend aspirant për të integruar BE.
Ky model që dëshiron të eksportojë Kryeministri turk është i huazuar nga modeli i partive të demokracisë kristiane, të cilat ndërtuan Europën e pasluftës dhe hodhën bazat e forta për ndërtimin e Bashkimit Europian. Erdogan ka zhvilluar konceptin dhe idenë e një model të “demokracisë-myslimane” ku artikulohen vlerat myslimane me ato laike universale.
Rastet e Libisë dhe Sirisë dëshmojnë në të njëjtën kohë se islamistët kanë evoluar përsa u përket institucioneve ushtarake perëndimore të konsideruara më parë si vetë “djalli”. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Libi u përshëndet nga bota arabe dhe partitë islamiste, ndërkohë që në Damask janë krerët e partive islamike që kërkojnë një mbrojtje dhe ndërhyje të huaj për mbrojtjen e popullatës.
Lëvizjet në botën arabe sollën evolucionin e mendimit politik, armiku nuk ishte Perëndimi kërcënues që ndodhej larg, por tirani që ndodhej në epiqendrën e pushtetit, aq afër popullatës. Perceptimi që kishte bota arabe për Perëndimin, sidomos pas 11 shtatorit, ndryshoi, dhe kjo gjë ka lejuar një evolucion të partive islamsite, të cilat në fillimet e lëvizjeve vendosën kontakte dhe bashkëpunuan me liberalët, gratë, të majtën, kristianët, çka solli si rrjedhojë edhe një ndarje brenda këtyre rrymave politike.
Realiteti politik në këtë fund viti 2011 në vendet që njohën atë që media e quajti “pranvera arabe”, është i ndërtuar në fitoren politike dhe reale të partive islamiste, të cilat në një farë mënyre, edhe pse janë të detyruara të drejtojnë koalicione me formacione politike laike, i kanë futur këto vende në një dimër islamik. Vështirë të parashikosh se cilën linjë dhe qeverisje ata do të kenë në vendet që drejtojnë për shkak të specifikimit të çdo vendi që i përkasin. Askush nuk është në gjendje të parashikojë nëse këto lëvizje për demokraci do të sjellin realisht vendosjen e një sistemi të mirëfillitë demokratik, kur në Egjipt ushtria është ende një aktor i padiskutueshëm i zhvillimeve në vend, ndërkohë që në Libi duhet qeverisur duke pasur parasysh ndarjen e vendit sipas influencave tribale dhe në vendet ku u zhvilluan zgjedhjet me fitoren e partive islamike stabiliteti politik mbetet i brishtë për shkak të koalicioneve politike shumë delikate.
© Panorama.al












