Dikur mbështeti Edi Ramën të hyjë në derën e pushtetit, sot Gazeta “Panorama” gjendet e luftuar dhe e ndëshkuar prej tij!

Nov 5, 2025 | 14:23

Gjatë ceremonisë mortore të ish-liderit socialist dhe ish-kryeministrit Fatos Nano, disa prej socialistëve të brezit të vjetër na risollën në kujtesë një ngjarje që, siç e pohuan edhe vetë, ndryshoi rrjedhën e politikës shqiptare, një histori që lidhet ngushtë me median tonë.

panorama

Ishte tetori i vitit 2005, kur Partia Socialiste pas dorëheqjes së Nanos, ndodhej në një udhëkryq. Kongresi i Jashtëzakonshëm duhej të zgjidhte kryetarin e ri, por në ditën e parë, platforma e Edi Ramës u rrëzua me shumicë votash. Në atë moment, askush nuk e mendonte se fati i PS-së dhe i vetë Ramës do të ndryshonte brenda 24 orësh nga faqja e parë e një gazete.

Më 9 tetor 2005, gazeta më e madhe në vend “Panorama” doli me një titull që do të bënte histori “KËRCËNOJNË 26 DEPUTETË: SOT VOTIM, OSE PARTI E RE!”

Kjo thirrje publike tronditi bazën socialiste, ndezi alarm për përçarje dhe detyroi delegatët të bashkoheshin rreth Ramës për të shmangur ndarjen përfundimtare të partisë. Ishte një gazetari që i parapriu politikës, një reagim mediatik që do të shkundte apatinë e një force në krizë. Ishte gazeta “Panorama” ajo që ndezi motorët e ndryshimit, duke i hapur rrugën Edi Ramës drejt drejtimit të PS-së e më pas të qeverisë.

Dy dekada më vonë, po ai njeri që mori hov nga një titull i “Panorama”, do të urdhëronte largimin e gazetarëve të saj nga godina e redaksisë. Me polici, administratë dhe forcë shtetërore, u përzu stafi i gazetës më të madhe në vend, asaj që dikur i dha zë ambicies së tij politike.

Ajo që nisi me një titull që nxiti bashkim, përfundoi me një akt që simbolizon përjashtimin. Dhe ndoshta ky është kontrasti më i fortë mes dy kohëve; periudha e Fatos Nanos, që e pranoi kritikën dhe debatin, dhe ajo e sotmja, që i sheh mediat e pavarura si kundërshtarë.

Ngjarjet fillojnë siç i kujtojnë socialistët e vjetër dhe siç e dëshmon arkiva e pasur e gazetës më të madhe në vend, por mbyllen në mënyrë paradoksale. “Panorama”, gazeta që dikur i hapi derën e pushtetit Edi Ramës, sot gjendet e luftuar dhe e ndëshkuar prej tij./News24

gazeta panorama shkrimi (1) gazeta panorama shkrimi (2) gazeta panorama shkrimi (3) gazeta panorama shkrimi (4) gazeta panorama shkrimi (5) gazeta panorama shkrimi (6) gazeta panorama shkrimi (7) gazeta panorama shkrimi (8) gazeta panorama shkrimi (9)

© Panorama.al

Te lidhura