Digjet raundi i dytë: Zbardhet takimi, Berisha e Rama ndahen te Zaganjori

Jun 4, 2012 | 11:40
Berisha, Rama, Patozi e Ruçi, gjate takimit te mbremshem ne kryesine e Kuvendit

Batutat e Kryeministrit dhe kreut të PS në takimin me dyer të mbyllura. Rama: Tërhiquni nga Zaganjori, duhet proces i ri. Berisha: Opozita të sjellë emra.

Mbyllet pa rezultat takimi Rama-Berisha. Maxhoranca nuk heq dorë nga Zaganjori.

Takimi rreth 90 minuta në Kryesinë e Kuvendit mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama, nuk ka prodhuar një emër konsensual për President vetëm pak orë para votimit në raundin e dytë në Parlament.
Megjithëse tonet kanë qenë miqësore, palët janë ndarë pikërisht te emri i Xhezair Zaganjorit. Shumica ka vijuar ta mbështesë anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa opozita ka kërkuar që emri i tij të mos konsiderohet dhe të nisë një proces i ri konsultimesh. Pavarësisht deklaratave publike me tone akuzuese të javëve të fundit, takimi i mbrëmshëm ka qenë krejt ndryshe, teksa është përshkuar nga një bisedë e qetë mes dy kundërshtarëve politikë.
Takimi
Selia e Kryesisë së Kuvendit ishte dje më e populluar se kurrë për një ditë të diele pushimi. I pari në godinën ku zakonisht zhvillohen mbledhjet e komisioneve parlamentare mbërriti kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, dhe në orën 20:30 erdhën së bashku në makinën me targë TR 3843 R kreu i PS-së, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi. Dy minuta pas tyre hyri edhe Kryeministri Berisha, i cili, si gjithmonë në këto ditë negociatash, nuk harroi të përshëndeste median nga makina. Megjithëse takimi u shoqërua nga tonet miqësore në objektivin e kamerave, në ato pak sekonda që ato filmuan mungoi një shtrëngim duarsh mes Kryeministrit dhe kryesocialistit, pavarësisht insistimit të operatorëve. Dy kundërshtarët politikë duket se kishin bërë kujdes me kostumet e zgjedhura në këtë takim. Kravata e kreut të qeverisë ishte e kuqe, ndërsa ajo e Ramës ngjyrë blu.
Negociatat
I pari që ka folur në takimin e mbrëmshëm ka qenë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Burime nga takimi bëjnë të ditur se kryesocialisti ka vlerësuar qëndrimin e Partisë Demokratike për të mos nxjerrë një personalitet të sajin në garën për President, siç kishte deklaruar kohët e fundit Kryeministri Berisha. Mësohet gjithashtu se Rama ka kërkuar që PD-ja të heqë dorë nga kandidati që ka nxjerrë zyrtarisht, Xhezair Zaganjori, dhe të nisin së bashku një proces konsensual. “Ky do të ishte një sinjal i mirë për Bashkimin Europian”, është shprehur Rama në takim. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e ka paraqitur Zaganjorin si një kandidaturë të mbështetur nga koalicioni qeveritar. Kreu i maxhorancës i ka kërkuar Ramës që të propozojë edhe ai emra për President në emër të opozitës si dhe të japë arsyet përse e kundërshton kandidaturën aktuale. “Ne do t’i marrim në konsideratë kandidatët nga opozita duke pasur emrin tonë në tavolinë”, mësohet të jetë shprehur Berisha. Gjatë bisedës, kreu i PS-së është shprehur se nuk do të japë emra pa vëmë më parë piketat e procesit dhe pa rrëzuar kandidaturën e Zaganjorit, çka është kundërshtuar nga Kryeministri. Në përfundim të bisedës është lënë gjithçka e hapur për të tjera negociata.
Parlamenti
Në një kohë që takimi i mbrëmshëm nuk dha rezultat, Parlamenti do të mblidhet sot sërish në seancë plenare për të quajtur të zhvilluar raundin e dytë të votimit. Para Kuvendit, në orën 09:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve, i cili do të hartojë sërish një raport që do t’i paraqitet seancës, ku do të evidentohet fakti se nuk u paraqit asnjë kandidaturë për t’u futur në procedurë parlamentare. “Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të datës 4 qershor 2012 konstatoi se deri në afatin e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, asnjë kandidaturë për President të Republikës nuk është depozituar në Kuvend. Në këto kushte, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në zbatim të nenit 87, pika 2 të Kushtetutës, i cili thotë: “Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat”, i paraqet seancës plenare për informim këtë raport, me qëllim përmbylljen e procedurave për votimin e parë të Presidentit të ri të Republikës”, pritet të thuhet në raportin që do të miratojë Komisioni. Pas seancës plenare do të jetë Konferenca e Kryetarëve që duhet të mblidhet sërish për të përcaktuar raundin e tretë të votimit, i cili nuk duhet të jetë më larg se shtatë ditë nga dita e sotme, çka do të thotë se duhet të mbahet të dielën e ardhshme.

Rama: Jemi opozitë, nuk hyjmë në garën e emrave
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e quajti “një vijë ta hapur” takimin e mbrëmshëm me Kryeministrin Sali Berisha. Ai tha se opozita kërkon një proces të dialoguar më parë, duke thënë se kjo është arsyeja përse ajo nuk mbështet kandidaturën e Xhezair Zaganjorit. “Në lidhje me kandidaturën e paraqitur nga qeveria, ne kemi përsëritur qëndrimin e njohur publikisht dhe kemi kërkuar që një hapje e vogël, e cila ka ndodhur duke kaluar nga qëndrimi rigjit i shumë muajve në një qëndrim që në vetvete, përbën një përpjekje për të gjetur pikëtakimin me opozitën të zgjerohet dhe ky pikëtakim me opozitën nuk mund të ndodhë mbi emrin e kandidatit të paraqitur njëanshmërisht dhe që e bën të pamundur konsensusin tonë”, u shpreh Rama. Ai tha më tej se bie dakord me Kryeministrin për të mos bërë më negociata siç u bënë në vitin 2007, ndërkohë që u shpreh i gatshëm të dialogojë me qeverinë deri sot para votimit të raundit të dytë. “Ne nuk hyjmë në një garë emrash, ne jemi opozita, jemi pakica, jemi pjesa e Parlamentit që duhet të dëgjohet dhe të përfshihet për një emër të dakordësuar. Gara e emrave nuk është as në frymën e konsensusit dhe as në qëllimin tonë”, theksoi kreu i PS.

Berisha: Ne kemi bërë tërheqjet tona, presim PS-në
Në përfundim të takimit, Kryeministri Sali Berisha foli më shkurt se kundërshtari i tij politik teksa tha se u shkëmbyen mendime lidhur me procesin dhe faktin se ai duhet të jetë konsensual. Kreu i qeverisë u shpreh se maxhoranca ka bërë tërheqjet e saj dhe në këtë linjë pret që edhe opozita të bëjë hapat e saj. “Shpreha qëndrimin dhe vendosmërinë e maxhorancës për një përpjekje për zgjidhje konsensuale të këtij problemi, siç e përcakton Kushtetuta, e cila në frymë dhe në germë e përcakton këtë zgjidhje si zgjidhje kushtetuese të tri raundeve të para. U bë një shkëmbim i hapur i mendimeve dhe pikëpamjeve për procesin. Ju tani e dini që maxhoranca ka bërë hapat e veta, ka bërë tërheqjet e veta, ka bërë paraqitjen nga një fushë jashtë interesave të ngushta partiake, duke i dhënë përparësi përpjekjes serioze për një zgjidhje konsensuale me opozitën. Ne mendojmë që edhe opozita do të bëjë hapat e saj”, tha Berisha. I pyetur nëse ky raund nuk dha rezultate, Kryeministri theksoi se “unë nuk them se ne erdhëm këtu me një rezultat konkret, por u shprehën qëndrimet, u elaboruan modalitetet e përpjekjeve për konsensualitet, dhe kjo ishte e tëra ajo çka u diskutua në këtë takim”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura