Digjet banesa, s’ka viktima, dëme materiale

Jan 24, 2012 | 17:43
Pamje nga shtepia e djegur

GJIROKASTER- Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një banesë në fshatin Grapsh të Dropullit të Poshtëm në Gjirokastër. Përveç dëmeve materiale, nuk janë evidentuar viktima në njerëz. Banesa e Grigor Qirkos ishte pushtuar nga flakët dhe sipas grupit hetimor, zjarri është provokuar nga shkëndijat e shkaktuara në oxhakun e shtëpisë në dalje të pjesës së sipërme.

Një e çarë në pjesën fundore të oxhakut aty ku lidhej me kulmin e çatisë, ka përcjellë flakët në pjesën tjetër të tavanit të drunjtë dhe për pasojë zjarri ka gjeneruar vrullshëm. Flakët janë përhapur me shpejtësi duke përfshirë të gjithë shtëpinë. Forcat policore kanë evakuar menjëherë banorët e tjerë përreth banesës nën flakë, pasi shtëpitë e tyre që ndodheshin ngjitur me të, rrezikoheshin nga përfshirja e zjarrit.

Dy mjete të Repartit të Zjarrfikëses kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta, kanë izoluar flakët që të mos depërtonin tek banesat e tjera ngjitur me atë që po digjej. Të gjitha orenditë shtëpiake të Grigor Qirkos të cilat ndodheshin në katin e dytë, janë djegur plotësisht duke shkaktuar një dëm prej 250 mijë lekësh.

Ky është rasti i pestë i rënies së zjarrit në rrethin e Gjirokastrës në 40 ditët e fundit, ndërkohë që deri tani zjarret në banesat dhe komplekset e banimit, kanë shkaktuar tre viktima në njerëz dhe dëme të konsiderueshme materiale me vlerë 10 milionë lekë.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura