
Shkrumbohet banesa 350-vjeçare në lagjen muzeale të Goricës në qytetin e Beratit. Banesa dykatëshe me 10 dhoma është djegur plotësisht brenda pak mi-nutave, për shkak edhe të konstruktit të saj prej dërrase. Tre anëtarët e familjes, burri, gruaja e djali i tyre arritën të dilnin në kohë, por nuk mundën të shpëtonin asgjë. Sipas tyre, dëmi i shkaktuar shkon në rreth 10 milionë lekë. Sipas Policisë, shtëpia është përfshirë në flakë rreth orës 22:00 të së premtes kur familjarët ishin në gjumë. Flakët rrezikuan edhe disa banesa të tjera, të cilat sipas stilit të ndërtimit janë lidhur çati më çati. Pronarja e banesës, Atixhe Myftari, u shpreh se kishin qenë në gjumë në momentin kur dëgjuan një zhurmë dhe tavanin që po binte. “Dolëm menjëherë jashtë me bashkëshortin tim Luton. Njoftuam zjarrfikësit, na erdhën edhe banorë të lagjes për të na ndihmuar. Por flakët po përpinin gjithçka. Na janë djegur të gjitha plaçkat që kishim në banesë, nuk ka shpëtuar asgjë”, u shpreh e moshuara. Sipas saj, por edhe banorëve të tjerë të lagjes, zjarrfikëset janë vonuar të shkojnë në vendin e ngjarjes për shkak të bllokimit të urës së Goricës. “Zjarrfikëset u vonuan pasi duhet të shkojnë një herë në Velabishte për të kaluar lumin dhe më pas të vijnë në lagjen Goricë. Kjo pasi ura e Goricës është e bllokuar me tubo për të ndaluar kalimin e makinave mbi të. Ne kërkojmë që Bashkia të heqë tubot dhe të vendosë një tra me çelës dhe çelësin t’ia japë repartit zjarrfikës. Të paktën kur të bjerë një zjarr të kenë mundësi veprimi të shpejtë”, u shprehën banorët e Goricës. E njëjta situatë do të ndodhte edhe në rast të zjarreve në lagjet e tjera muzeale, ku zjarrfikësve do t’u duhet të shkojnë më parë në Velabishtë për të kaluar urën dhe më pas të futen në qytet. Nga hetimet paraprake rezultoi se shkaku i rënies së zjarrit mund të jetë një shkëndijë elektrike, pasi kabllot elektrike nëpër këto banesa të vjetra janë tejet të amortizuara.
Depozitat
Një tjetër problematikë mbetet terreni i ngushtë i lagjeve ku zjarrfikëset mezi arrijnë të futen. Ndërsa depozitat që kanë funksionuar më parë për të ndërhyrë në raste zjarresh nuk janë më në punë. “Tani ne mbetëm në qiell të hapur, presin ndihmën e shtetit që të na ndihmojë”, u shpreh Atixhe Myftari. Brenda harkut të dy viteve, në lagjet muzeale të Beratit janë djegur 6 banesa qindravjeçare.
BERAT/ DILAVER XHELILI











