NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ 
Pyetjes se a është e pagabueshme dhe e pakorruptueshme ministrja “Diella” e qeverisë shqiptare, e fokusuar në fushën e prokurimeve publike, ajo – si në çdo sistem të inteligjencës artificiale – nuk mund të jetë as e pagabueshme dhe as e pakorruptueshme. Asnjë teknologji deri tani, sado e avancuar që të jetë, nuk e eliminon rrezikun e gabimeve apo ndikimeve të jashtme. “Ministrja Diella” nuk mund të jetë e pagabueshme sepse modelet e IA janë statistikore: ato analizojnë të dhëna, por mund të japin rezultate të pasakta kur të dhënat janë: (i) të mangëta, të vjetruara ose (ii) të gabuara. Gabimet e programimit dhe interpretimit të të dhënave mbeten gjithmonë të mundshme. Automatizimi i proceseve publike rrit shpejtësinë, por nuk garanton saktësi absolute.
A është e pakorruptueshme “Diella”? Përgjigjja, përmes inteligjencës artificiale, është: teknikisht një aplikacion IA nuk korruptohet si individët, por mund të manipulohet, keqpërdoret ose programohet me prirje të caktuara, për shembull;
(i) Bias në algoritme (tendencë e njëanshme): nëse ushqehet me të dhëna të njëanshme, vendimet e tij pasqyrojnë këtë njëanshmëri.
(ii) Ndryshime të qëllimshme në kod: kush ka kontroll teknik mund të fusë privilegje të paligjshme:
(iii) Keqpërdorim i të dhënave publike: rrezik për privatësi, diskriminim ose selektivitet politik.
Pra, IA nuk korruptohet vetë, por mund të bëhet instrument i korrupsionit njerëzor. Sistemi i IA mund të jetë i sigurt vetëm nëse: (i) auditimet janë të pavarura; (ii) kodet janë transparente; (iii) ekzistojnë log-e të pamodifikueshme; (iv) shërbimi nuk kontrollohet nga një grup i vetëm pa mbikëqyrje; (v) ka kontroll parlamentar dhe shoqëror. Pa këto, çdo sistem – sidomos një sistem që prek qytetarët dhe vendimmarrjen publike – mbetet i cenueshëm. “Diella” mund të jetë i dobishëm, efikas dhe modernizues, por nuk mund të jetë as i pagabueshëm, as i pakorruptueshëm pa garancitë institucionale, etike dhe teknike përkatëse. Teknologjia nuk zgjidh vetvetiu problemet e integritetit; (i) kjo varet nga institucionet, (ii) transparenca dhe (iii) njerëzit që e drejtojnë. “Diella” nuk mund të hetohet për korrupsionin qeveritar me prokurimet publike, pasi çdo gabim dhe korruptim që cenon apo dëmton vendimmarrjen, apo favorizon korrupsionin me prokurimet publike, i mbetet zyrtarit që merr vendimin përfundimtar.
Këtë diskutim publik për raportin midis “Diellave” dhe personave përgjegjës për vendimet mund ta lehtësojë me efektin e këtij debati për profesionin e kontabilistëve dhe audituesve. Po ndalem shkurt tek analiza pse, edhe në epokën e Inteligjencës Artificiale, profesionit të kontabilistëve të miratuar i shtohen sfidat, por rritet edhe rëndësia e tij. Pavarësisht kostove potenciale nga avancimi i IA në fushën e kontabilitetit, auditimit dhe menaxhimit financiar, profesionalizmi, përkushtimi dhe integriteti i tyre do të përcaktojnë të ardhmen e këtij profesioni. Roli i kontabilistëve bëhet më strategjik dhe më i vlefshëm. Kjo sepse IA ofron të dhëna; kontabilisti i miratuar jep kuptim, analizë, gjykim profesional dhe besueshmëri. Kontabilistët dhe audituesit njerëzorë mbeten garantues të integritetit financiar – IA është e fuqishme, por jo e pagabueshme dhe jo e pakorruptueshme. Kontabilisti i miratuar garanton: (i) besueshmërinë e pasqyrave financiare; (ii) korrektësinë e regjistrimeve; (iii) përputhshmërinë me standardet kontabël dhe (iv) transparencën ndaj publikut dhe autoriteteve. Në një botë të automatizuar, garancia njerëzore e integritetit është më e vlefshme se kurrë.
IA identifikon devijime dhe anomali, por nuk i interpreton në kontekst. Kontabilisti dallon: (i) gabimin nga mashtrimi; (ii) të dhënën e parregullt nga rreziku sistemik; (iii) devijimin teknik nga problemi ekonomik. Kjo e rrit rolin e tyre në menaxhimin e rrezikut financiar, operacional dhe etik. Kontabilistët mbeten këshilltarë të domosdoshëm të menaxhimit dhe sipërmarrjes. IA jep skenarë, por kontabilistët i kthejnë ato në (i) vendime strategjike; (ii) plane financiare të besueshme; (iii) rekomandime për investime dhe vlerësime të qëndrueshmërisë financiare. Në epokën e mbingarkesës së të dhënave, kontabilistët mbeten “filtri i arsyes”. Sfida e kontabilistëve është kalimi nga “ruajtës librash” në “arkitektë të sistemeve të raportimit”. Sfidat e kontabilistëve të miratuar në epokën e IA janë: humbja e rolit tradicional dhe rreziku i zëvendësimit. Që në hapat e parë të informatizimit – dhe tani të inteligjencës artificiale – dukej se roli i kontabilistëve mund të zëvendësohej, pasi detyrat bazë kryhen më shpejt dhe më lirë nga sistemet inteligjente. Kontabilistët e fokusuar vetëm në detyra rutinë rrezikojnë të mbeten të tepërt. IA mund të ndihmojë në përpunimin e 40% deri në 60% të punëve rutinë të kontabilistëve. Por humbja e vendeve të punës për kontabilistët dhe audituesit nuk do të jetë në të njëjtën shkallë. Koha e fituar përdoret për qeverisjen më produktive.
“Ministrja Diella” shton kohën për analiza më të thelluara, duke rritur cilësinë e menaxhimit sa më produktiv dhe sa më efektiv të çdo njësie ekonomike, publike apo private. Sipas studimeve të deritanishme, IA mund të shkurtojë 40 deri në 60 për qind të kohës së punës rutinë, lehtësisht të konvertueshme në algoritme. Reduktimi i vendeve të punës është më i vogël se koha e punës së reduktuar nga aplikimi i IA. Aplikimi i inteligjencës artificiale në mënyrë të suksesshme dhe efektive rrit te kontabilistët dhe audituesit nevojën për aftësi të reja digjitale. Kërkohet zotërimi dinamik i evoluimit të IA. Pa këto aftësi, vlera profesionale zvogëlohet ndjeshëm. Aftësitë që kërkohen sot janë: data analytics, kontrolli i sistemeve IA, auditimi në mjedis dixhital. Edhe kur IA gabon, përgjegjësia mbetet te kontabilisti. Ai duhet të verifikojë rezultatet dhe të dokumentohet saktësia e tyre. Presioni për të pranuar rezultate të IA pa verifikim, mungesa e transparencës së algoritmeve dhe rreziku i manipulimit kërkojnë integritet të lartë. Data scientists, specialistë IT dhe analistë risku po hyjnë fuqishëm në financë.
Kontabilistët mbrojnë rolin e tyre vetëm duke ofruar gjykim profesional, etikë dhe interpretim të standardeve. IA nuk e zëvendëson kontabilistin e miratuar; IA zëvendëson kontabilistin që nuk evoluon. Ata që adoptojnë teknologjinë, zhvillohen vazhdimisht dhe ruajnë integritetin bëhen më të vlefshëm se kurrë për biznesin, shtetin dhe publikun. Profesioni nuk zhduket, transformohet. Jemi në hapat e para të zhvillimit shumë të shpejtë të IA. Nuk ka akoma direktiva të qarta për raportin midis avancimit të IA dhe pasojave që ajo mund të shkaktojë, sidomos nga superkompjuteri. Absolutizmi i inteligjencës artificiale për “mrekullitë e saj” në qeverisjen e një vendi vë në pikëpyetje përfitimet reale dhe sidomos rreziqet në rritje. Rreth 1 500 shkencëtarë dhe personalitete publike, nëpërmjet një peticioni po kërkojnë një pauzë të përkohshme në zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale më të fuqishme, ngaqë ritmi i përparimit po i tejkalon mekanizmat e sigurisë. Paralajmërohet fort për rreziqe serioze: (i) nga humbja e kontrollit mbi sisteme shumë inteligjente, deri te (ii) ndikimet në demokraci; (iii) punësim dhe stabilitet shoqëror. Ka nevojë urgjente për rregullim, transparencë dhe auditime të pavarura, në mënyrë që përdorimi i IA të jetë i sigurt dhe i përgjegjshëm. Kërkohet kuadër rregullator që teknologjitë e avancuara t’i shërbejnë shoqërisë pa krijuar rreziqe të pakthyeshme.
* Ish-ministër i Ekonomisë
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











