SHKUP- Shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri ka deklaruar se Prishtina është e gatshme për marrëveshje me Beogradin, por duket se ekipit të Beogradit i duhet më shumë kohë para se të japë dritën e gjelbër. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të hënën vazhdoi përmes një videokonference, por përfundoi pa marrëveshje.
Kjo nuk është hera e parë që bisedohet online, me ndërmjetësim të përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Robert Cooper. Meqenëse në raundin e katërt të dialogut, i mbajtur javën e kaluar në Bruksel, palët kanë arritur të afrojnë qëndrimet për një varg çështjesh, këtë javë shpresohet se do të lidhet marrëveshja e parë.
“Palët kanë nevojë për konsulta dhe vendimmarrje dhe kjo pra po kërkon edhe pak kohë. Kështu që ne kemi mirëkuptim për njëra-tjetrën si palë që të ketë secila kohë të mjaftueshme për të marrë vendime të qëndrueshme. Për sa i takon palës sonë, marrëveshja mund të arrihet këtë javë. Pra, mund të ndodhë”, ka thënë ajo për Express.
Zëvendëskryeministrja përmendi tri fusha ku është arritur një progres më i madh. “Tashmë jemi afër marrëveshjeve dhe kjo ndërlidhet veçanërisht me çështjen e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë dhe çështjes së energjisë. Dhe bisedimet po vazhdojnë. Kemi pasur edhe sot një telekonferencë për këtë çështje. Pra, nga ana jonë, si palë e Kosovës, ne jemi për zgjidhje evropiane, kështu që kemi kontribuar fuqishëm që sa më shpejt të arrihen marrëveshjet”, ka thënë Tahiri.
© Panorama.al











