Cooper, në Prishtinë për dialogun Kosovë-Serbi

May 3, 2011 | 9:48

PRISHTINE- Në raundin e katërt të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë që do të zhvillohet gjatë muajit maj, pritet të ketë marrëveshje për disa nga temat e diskutuara deri tani mes palëve.

Zgjidhjet për temat e diskutuara deri më tani në Bruksel do të vijnë si kornizë e marrëveshjes nga lehtësuesi i bisedimeve, Robert Cooper.

Përfaqësuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka konfirmuar se në raundin e katërt të bisedimeve, Cooper do të paraqesë kornizën e marrëveshjes, të cilën sipas Tahirit, pastaj do ta diskutojnë palët me qeveritë përkatëse.

“Sa i takon raundit të katërt që pritet të mbahet në maj, unë pres avancimin e procesit në çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe lëvizjes së lirë. Pres edhe ndoshta një kornizë të marrëveshjeve për secilën prej këtyre çështjeve. Pasi të merret ajo kornizë e propozuar edhe me idetë e Bashkimit Europian, siç kemi kërkuar në raundin e kaluar të dyja palët, pres që pastaj të kthehemi në Prishtinë për t’i diskutuar me Qeverinë dhe për t’i marrë vendimet finale”, tha Tahiri për Express.

Pikërisht kjo është edhe arsyeja që këtë javë lehtësuesi Robert Cooper pritet të vijë në Prishtinë. Ai do t’i njoftojë përfaqësuesit kosovarë me propozimet e BE’së për zgjidhjet e çështjeve që janë diskutuar deri tani në Bruksel.

“Po këtë javë në Kosovë vjen zoti Cooper, i cili do të prezantojë idetë e tij për çështjet e biseduara, të cilat ide janë të Bashkimit Europian. Më pas ne do analizojmë dhe do të shohim se sa do të avancojë ky proces”, tha Tahiri.

© Panorama.al

Te lidhura