Dhunohet drejtori i Ujësjellësit në Tepelenë, reagon PS

Sep 19, 2012 | 12:18
Ruçi dje në Parlament

Dhunohet kreu i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tepelenës, Arben Kaçorri, njëkohësisht kryetar i PS-së së qytetit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, teksa vetë Kaçorri po kthehej në banesën e tij, ndërkohë që Policia e Tepelenës është vënë në kërkim të autorëve të këtij agresioni. Vetë Kaçorri shprehet për gazetën “Panorama” se është ndier i pambrojtur nga ana e forcave të rendit, pasi ato nuk kanë bërë asgjë për trajtimin me rigorozitet të kësaj ngjarjeje, e cila e ka fillesën katër ditë më parë në prezantimin e tij si drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Tepelenë. Kaçorri, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin e Gjirokastrës me plagë serioze në trup si pasojë e dhunës nga persona që ai i ka identifikuar, shprehet mjaft i zhgënjyer nga Prokuroria dhe Policia. Kjo e fundit po punon për identifikimin e autorëve të agresionit që i kanë shkaktuar plagë në kokë dhe në trup 40-vjeçarit Arben Kaçorri, ndërkohë që vetë ai thotë se i ka thënë në polici emrat e agresorëve. Ai akuzon për dhunën të afërm të ish-drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. “Me bindje të plotë dhe përgjegjësi ligjore, pohoj se agresorët kanë qenë Çlirim Bakiaj dhe Laert Bakiaj, i pari vëllai i ish-drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Vladimir Bakiaj, ndërsa i dyti me banim në Ksamil, i afërm i ish-drejtorit”. Lidhur me këtë ngjarje reagoi kreu i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili tha se politika ka kapur organet e Drejtësisë. “Mbrëmë në Tepelenë është rrahur në mënyrë barbare drejtori i Ujësjellësit. Në emër të PS ju deklaroj, nëse do vazhdoni të kapni kështu sistemin e Drejtësisë, nëse nuk zbatohen vendimet e gjykatave të Shkallës së Parë, Dytë dhe Tretë, mos kërkoni bashkëpunimin e opozitës”, tha Ruçi. Në përgjigje të deklaratës së Ruçit, Topalli u shpreh duke thënë se “ligjet i shërbejnë drejtësisë, janë detyrim ndaj qytetarëve, jo ndaj maxhorancës. Votoni ligjin për Gjykatën e Lartë, keni detyrime ndaj shqiptarëve”.

© Panorama.al

Te lidhura