Dhunohet barbarisht në komisariat 79-vjeçari, pezullohet polici

Dec 5, 2011 | 12:51
Kostaq Krësto, 79-vjeçari i dhunuar nga policia, duke rrëfyer për gazetën.

POGRADEC- Pezullohet nga detyra një efektiv i policisë, i cili rrahu brutalisht një të moshuar në ambientet e komisariatit. Mësohet se 79-vjeçari Kostaq Krësto përfundoi në spital me plagë e i përgjakur, ndërsa dje ai ka bërë denoncimin për dhunimin e tij. Pas ngjarjes, policia ka pezulluar efektivin Kliti Poce, ndërsa rasti është duke u ndjekur edhe nga SHKB. Dhuna fizike në ambientet e policisë është denoncuar dje publikisht nga vetë i moshuari dhe djali i tij. Sipas 79-vjeçarit, gjithçka kishte nisur pas një konflikti të mbartur me fqinjin e tij. i moshuari, banues në Lagjen Nr.4 të Pogradecit, ka debatuar dy ditë më parë për çështje pronësie me fqinjin e tij po të moshuar, për shkak të një rrugice të përbashkët mes dy shtëpive të tyre. Më pas në banesën e tij mbërritën tre punonjës të policisë, mes tyre edhe ai që më pas e keqtrajtoi. “Ishte ora 15:00 kur erdhi policia. Më kërkuan që të shkoja me ta. Nuk më lanë as të haja drekë, pasi më thanë se duhej të shkoja për një sqarim. Shkova pa kundërshtuar. Nuk më morën në pyetje, por sapo u futa në komisariat, njëri prej tyre, Kliti Poce, nisi të më rrahë. Ishin edhe policë të tjerë të cilët më mbrojtën, pasi ai m’u vërsul si bishë. Ata e mbajtën, përndryshe nuk do t’i kisha mbijetuar dot rrahjes së tij. Më tej urdhëroi që të më mbyllnin në izolim. Aty më lanë për dy orë mes gjakut që më kullonte nga plagët. Pas dy orësh më çuan në spital për të më mjekuar dhe më vonë më sollën në shtëpi. Doja që ta denoncoja që të shtunën, por më nxorën pengesa pasi nuk më jepnin raportin që duhej të plotësonte eksperti mjekoligjor”, u shpreh i moshuari. Familjarët dhe të afërmit e 79-vjeçarit ishin mjaft të revoltuar nga ngjarja e ndodhur në policinë e Pogradecit. Madje, ata pohuan se nuk kishin gjetur mbështetje për të kryer edhe denoncimin. Djali dhe nusja e të moshuarit treguan dje se policia ua kishte sjellë babain të përgjakur dhe me plagë, ndërsa nuk u kishin dhënë asnjë shpjegim për atë që kishte ndodhur.
Sipas të dhënave nga spitali i Pogradecit, i moshuari ishte çuar për të marrë ndihmën mjekësore nga tre punonjës të policisë. Pasi mjekët i kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë konstatuar se gjendja e tij ishte jashtë rrezikut për jetën, kanë vendosur që ta nxjerrin nga spitali. Sipas mjekut Enver Elezi, dëmtimet e 79- vjeçarit ishin më së shumti në pjesën e fytyrës, ku ai kishte  pësuar plagë, të cilat kishin nevojë për qepje, si dhe mavijosje apo goditje më të lehta. Burime zyrtare të Komisariatit të Pogradecit pohuan vërtetësinë e kësaj ngjarjeje, ndërsa bënë të ditur se efektivi Kliti Poce, i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të moshuarit, është pezulluar nga detyra.        dh.d

© Panorama.al

Te lidhura