
Grabitësit mësyjnë në varrezat e qytetit të Fierit, duke marrë që andej pjesët metalike të hekurave dhe vazot prej bronzi. Të paktën 100 varre janë dëmtuar gjatë muajve të fundit, ndërsa familjarët i kërkojnë Policisë të ndërhyjë për zbulimin e autorëve. Ndonëse firma private e kontraktuar një muaj më parë nga bashkia, ka të punësuar tre rojë, sipërfaqja e madhe me varreza e bën të pamundur që ata ta mbajnë nën kontroll. Autorët, përveçse marrin vazot metalike dhe ato me vlerë tashmë kanë hequr edhe kangjellat rrethuese, duke qenë se pjesa e tyre metalike rëndon dhe është fitimprurëse për ta.
“Kam tre të afërm këtu. Shkova përpara ca ditësh dhe e gjeta varrin e nënës të dhunuar gjatë natës. Kishin prerë tubat rrethues të varrit dhe i kishin marrë. Më parë më kishin vjedhur edhe disa vazo lulesh prej bronzi. Po ashtu, sot shoh që edhe te varri i motrës më kanë bërë të njëjtën gjë. Kam shkuar në polici dhe e kam denoncuar rastin. Nuk kursej lekët, por po më shpërdorojnë kujtimin e të vdekurve”, u shpreh Mitra Lushaj, e cila dje i është drejtuar Policisë së Fierit, pas dhunimit radhazi të varreve të tre të afërmve të saj. Edhe rojat e varrezave kanë deponuar se janë munduar të jenë vigjilentë për të evidentuar grabitësit kur futen në varreza. Por sipas tyre, ata e kanë të pamundur për të mbajtur situatën nën kontroll, pasi sipërfaqja e varrezave është mjaft e madhe. Ndërkaq, përgjegjësi i mirëmbajtjes se varrezave, Edi Shati, u shpreh se janë vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat për të evituar probleme të tilla, ndërsa ai vetë ende nuk ka asnjë denoncim prej qytetareve. “Jam mobilizuar dhe së bashku me rojat do të kemi nën kontroll çdo lëvizje. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të siguruar qetësinë e qytetarëve. Është për të ardhur keq që këta persona bëhen kaq të papërgjegjshëm saqë nuk lënë të qetë të vdekurit”, u shpreh ai. Varrezat e qytetit kanë vetëm pak kohë që janë sistemuar nga ana infrastrukturore, pas një investimi të Bashkisë Fier. Por tashmë problemi po qëndron te vjedhjet. Këto të fundit kanë qenë të shpeshta duke e çuar në 100 numrin e varreve të dhunuara. Një tjetër problematikë sipas të afërmve të të vdekurve janë edhe vjedhjet e luleve. Ata aludojnë për shitësit e luleve të cilët pasi i vjedhin, i shesin përsëri.
FIER/ MAJLINDA RAMA











