Protestat e ashpra për më shumë demokraci në rajonin e Lindjes së Mesme vazhdojnë, ndërsa liderët autokratë nuk pranojnë të heqin dorë nga pushtetet e tyre disa dekadëshe, duke provokuar kështu më shumë trazira dhe dhunë, e rrjedhimisht më shumë viktima. Tani fokusi i revoltave, përveç Libisë në Afrikën Veriore, është në Jemen dhe Siri. Në Jemen, përpjekjet për të rrëzuar Presidentin Abdullah Ali Saleh kanë nisur prej dy muajsh, që kur u rrëzua nga pushteti Ben Ali i Tunizisë dhe Mubarak i Egjiptit. Ndërsa në Siri, protestat kanë shënuar dje ditën e nëntë. Edhe aty kërkohet dorëheqja e Presidentit Bashar Al Asad. Ky i fundit akuzon forcat e huaja se po organizojnë protesta kundër regjimit të tij për interesat e tyre. Një seri shpërthimesh në një depo municionesh në jugun e Jemenit ka shkaktuar vdekjen e 50 personave. Pasojat e shpërthimit që ndodhi pranë qytetit jugor të Jarit, u ndien deri 15 kilometra larg. Depoja e municioneve ishte hapur prej militantëve, të cilët në fundjavë zhvilluan luftime me forcat qeveritare, sipas korrespondentit të BBC-së. Jemeni është vendi më i varfër i botës arabe. Në protestat kundër Saleh, në këtë vend kanë humbur jetën më shumë se 100 persona. Edhe në Siri situata nuk është e aspak e qetë. Ushtria siriane është pozicionuar në veriun e qytetit Latakia, ku të shtunën gjatë protestave humbën jetën paktën 12 persona. Edhe disa qytete të tjera më të vogla janë rrethuar nga ushtria. Presidenti Bashar al Assad pritet t’i adresohet së shpejti kombit me një fjalim. OKB, SHBA dhe vende të tjera perëndimore kanë kritikuar ashpër përdorimin e dhunës për shtypjen e protestave. Ndërsa kryeministri turk, Rexhep Tayp Erdogan, i ka këshilluar Presidentit sirian Al Assad që t’i përgjigjet kërkesave për reformat mbi popullin.











