
Prokuroria e Kurbinit ka nisur zyrtarisht hetimin e dhunës së shkaktuar në fushën e lojës, direkt pas vërshëllimës së fundit të arbitrit Lorenc Jemini në ndeshjen Laçi-Kastrioti. Lajmi është konfirmuar nga prokurori i rrethit, Besim Hajdarmataj, i cili, i kontaktuar nga “Panorama”, ka konfirmuar se nga mbrëmja e së dielës hetuesit kanë nisur punën për zbardhjen sa më parë të këtij skandali. Kreu i Prokurorisë pohon se për momentin janë sekuestruar materialet filmike e foto që paraqesin dhunën e ushtruar dhe është bërë gati një listë me zyrtarë e persona, të cilët mund të jenë në dijeni të fakteve lidhur me këtë çështje. “Faktikisht ne po bëjmë veçse punën tonë të përditshme. Prokuroria ka nisur menjëherë hetimet që mbrëmjen e së shtunës, kur u vërejt edhe nëpërmjet mediave gjithçka që kishte ndodhur në stadium. Sigurisht, ishte një lloj situate disi kaotike, por mund t’ju them se nga dita e sotme (dje) janë piketuar edhe personat që do të merren në pyetje, si dhe do të merren si prova materialet filmike, kjo natyrisht për të zbardhur në mënyrë të shpejtë dhe sa më të qartë gjithçka ndodhi në stadium gjatë asaj sfide. Për efekte hetimi nuk mund t’ju jap të dhëna të tjera më të detajuara, por shpresoj që gjithçka të mbarojë shpejt dhe drejtësia të vihet në vend”, – ka theksuar Hajdarmataj. Gjyqtari i FIFA-s, Lorenc Jemini, u godit disa herë nga zyrtarët e klubit të Laçit jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në tunelin e dhomave të zhveshjes, aq sa përfundoi në spital me hematoma në kokë dhe në sy. Pas daljes nga spitali, Jemini ka theksuar se do të jetë në pritje të takimit me Prokurorinë për të dëshmuar lidhur me incidentin. Sakaq, Komisioni i Disiplinës pritet të mblidhet ditën e nesërme, nga ku do të merret në shqyrtim gjithçka ndodhi në fushë pas përfundimit të takimit. KF Laçi rrezikon nga një dënim prej 10 javësh pa spektatorë ose në fushë asnjanëse deri në përjashtim nga kampionati. Por, çfarëdolloj vendimi do të shoqërohet edhe me një gjobë të majme ndaj këtij klubi.
Arbitrat: Ndëshkime në Laç, ose protestojmë!
Në mbledhjen e saj të zhvilluar më datë 05.12.2011, Kryesia e Shoqatës së Arbitrave të Futbollit Shqiptar denoncon me forcë dhunën e ushtruar ndaj arbitrit të FIFA-s, Lorenc Jemini, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Laçi-Kastrioti, zhvilluar në stadiumin e qytetit të Laçit më 04.12.2011, në kuadër të javës së 11-të të Kategorisë Superiore. Brenda indinjatës së thellë nënvizojmë faktin se këto veprime dhune, përveçse njollosin imazhin e futbollit shqiptar, nëpërkëmbin kodin e moralit sportiv, por mbi të gjitha janë me pasoja të rënda për jetën e gjyqtarëve të futbollit. Njerëz që janë në poste të rëndësishme nëpër klubet e futbollit apo në rastin konkret, presidenti i skuadrës së Laçit, marrin përsipër, jashtë çdo principi, të zgjidhin me vetëgjyqësi dhe veprime të dhunshme, atë çka u takon strukturave të zgjedhura nga vetë këto personazhe. Padrejtësia që kulmoi me dhunën kundër Jeminit në Laç, ka ardhur si rezultat i trysnisë, frikës dhe imponimit që njerëz të tillë bëjnë përballë arbitrave. Krahas pamjeve televizive, të tërheq vëmendjen dhe qëndrimi i mefshtë i forcave të Policisë së Shtetit atje dhe, aq më keq i deklaratave boshe të saj, se për rastin konkret nuk kishte denoncim. Çfarë procedure kërkon kjo polici kur ajo që ndodhi ishte flagrante? Njoftojmë publikisht se protesta dhe masat tona në të ardhmen janë në varësi të vendimit që do të marrin strukturat e pavarura pranë FSHF-së.
Dhuna, mblidhet urgjent KKDHS-ja
Do të mblidhet sot në mënyrë urgjente Komisioni Kombëtar i Dhunës në Sport, në Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Ngjarjet e së dielës pasdite në Laç i kanë detyruar instancat më të larta të futbollit në vend që të kërkojnë një mbledhje urgjente, për të ekzaminuar të gjithë problematikën dhe për të marrë masa të menjëhershme për parandalimin e dhunës. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Sporteve në MTKRS, Vasil Bici. “Duke parë se çfarë ndodhi në Laç, zëvendësministri Dashnor Bajaziti kërkoi që mbledhja e komisionit, e programuar për disa ditë më vonë, të bëhej menjëherë. Në rend të ditës është vetëm një çështje, ajo e parandalimit të dhunës dhe e marrjes së masave, duke futur në lojë të gjithë aktorët që merren sot me drejtimin e sportit. Kështu, përveç Ministrisë normalisht, e cila është edhe iniciatorja, në mbledhje do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Unë personalisht nuk di t’ju them se çfarë vendimi do të merret, por gjykoj se në të tilla situata Ministria e ka parë të udhës që të jetë sa më ekzekutive dhe efikase në ndihmë të sportit. Pas mbledhjes do të ketë edhe një konferencë për shtyp, ku do të mediatizohen edhe vendimet që do të marrë komisioni”, – ka theksuar për “Panorama Sport” Vasil Bici. KKDHS-ja, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.18, të datës 13.1.2006, kryesohet nga kryetari, i cili në rastin konkret është zëvendësministri i Sporteve, ndërsa ka në përbërje edhe drejtorin e Sporteve në MTKRS, një përfaqësues nga FSHF-ja, një përfaqësues nga KOKSH-i (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar), një përfaqësues nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë, si dhe një përfaqësues nga Policia e Shtetit. Komisioni ka hartimin e strategjive për të parandaluar dhunën në sport dhe në të tilla mbledhje analizon problematikën në të gjitha stadiumet e kampionatit shqiptar të futbollit.
Çfarë është Komisioni i Antidhunës
Komisioni Kombëtar i Dhunës në Sport drejtohet nga kryetari, i cili është zv.ministri i MTKRS-së, aktualisht Dashnor Bajaziti. Anëtarë të këtij komisioni janë edhe drejtori i Sporteve në MTKRS, Vasil Bici, përfaqësuesi i FSHF-së, Besnik Çela, përfaqësuesi i KOKSH-it, përfaqësuesi i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë, Besnik Dizdari, si dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit. Komisioni jep sugjerime dhe nxjerr vendime, që më pas ekzekutohen nga Policia ose Federata.
FSHF: Ja pse nuk bëjmë denoncim për ndeshjen
Federata Shqiptare e Futbollit ka mbetur e zhgënjyer nga sjellja e Policisë në Laç, ku u dhunua barbarisht arbitri ndërkombëtar, Lorenc Jemini. Drejtuesit e FSHF-së pohojnë ndërkohë se nuk do të ketë kallëzim penal në polici për ngjarjen e ndodhur, pasi pamjet flasin vetë. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, ka deklaruar se nuk do të bëjë asnjë koment mbi vendimet që mund të merren gjatë ditëve të ardhshme nga Disiplina, por ka pohuar se FSHF-ja nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë asnjë kallëzim penal. “Pa diskutim që jemi të trishtuar dhe të indinjuar nga ajo që ndodhi në Laç, – është shprehur Prodani. – Futbolli është një sport dhe një lojë, që përveç argëtimit, ka edhe vlera edukative dhe nuk mund të degjenerojë në të tilla situata tërësisht të papranueshme. Mendoj se ishte një incident i rëndë, por nuk mund të them se çfarë masash do të merren”, ka deklaruar ai. Prodani ka pranuar se nga pamjet filmike, por edhe nga të dhënat paraprake, Policia e Laçit është përpjekur të mbrojë gjyqtarin Jemini, por ai ka mbetur i zhgënjyer nga situata e mëvonshme, duke lënë të kuptohet se policisë nuk i nevojitet medoemos një denoncim kur sheh dikë që po dhunohet ditën në diell. “Zhvilluam një konsultë me zyrën juridike të federatës dhe momentalisht kemi vendosur të mos bëjmë denoncim. Personalisht mendoj se kjo është e panevojshme. E them këtë, sepse mjaftojnë pamjet filmike, apo edhe policët dëshmitarë në fushë për të ndaluar apo për të shoqëruar dikë që vepron kundër ligjit. Vetëm kaq mund të them për këtë”, ka deklaruar numri 2 i federatës. Drejtuesit e Policisë së qytetit të Laçit deklaruan për “Panorama Sport”, vetëm pak orë pas incidentit në ndeshjen e së dielës, se i kanë kërkuar arbitrit Jemini dhe delegatit të ndeshjes, Millan Baçi, që të bënin një denoncim të thjeshtë për dhunën dhe më pas Policia do të kryente punën e saj duke bërë shoqërime për në komisariat.
Leonard Karaj
© Panorama.al











