Dhuna në Laç, arrestohen dy persona

Dec 7, 2011 | 13:38
Dhuna në ndeshjen Laçi-Kastrioti

Prokuroria e Kurbinit ka nxjerrë dje në mbrëmje dy mandat-arrestet e para për dhunën e ushtruar në Laç pas takimit Laçi-Kastrioti. Mësohet se Komisariati i Policisë, në bazë të pamjeve filmime dhe dëshmive, ka vënë në pranga dhe akuzuar për dhunën ndaj gjyqtarit të FIFA-s, Lorenc Jeminin, zëvendëstrajnerin e KF Laçi, Ardian Laskën dhe vëllain e presidentit të këtij klubi, Dodë Laskën. Ndërkohë, bëhet me dije se dje janë pyetur për katër orë në komisariat edhe presidenti i KF Laçi, Pashk Laska, si dhe zëvendëstrajneri, Kastriot Rama. Por burime pranë Prokurorisë bëjnë me dije se në ditët në vazhdim, duke filluar nga sot, mund të ketë të tjera arrestime. Të dy të arrestuarit akuzohen si protagonistë në ngjarjen e së dielës. Dje, në Komisariatin e Laçit janë pyetur nga grupi hetimor fillimisht ndihmësi i trajnerit Nevil Dede, Kastriot Rama. Ky i fundit pasi ka dhënë versionin e tij për ngjarjen në fjalë, është lënë i lirë. Më pas, para grupit hetimor është ulur dhe marrë në pyetje Pashk Laska, i cili pasi ka dhënë deponimin e tij, ka dalë nga Komisariati. Më tej, në tavolinën e hetuesve janë ulur me radhë Dodë Laska dhe Ardian Laska, të cilët pasi janë pyetur, me urdhër të Prokurorisë janë vënë nën arrest. Ndërkohë duhet thënë se pamjet filmike kanë treguar qartë se këta dy të fundit, por edhe presidenti Laska, kanë qenë të përfshirë në incident, ndërsa e kundërta rezulton me Kastriot Ramën, i cili rezulton, të paktën nga sa është verifikuar, se nuk është përfshirë në këtë sherrnajë. Sakaq, referuar deklaratës së djeshme të ministrit të Sporteve z.Dashnor Bajaziti dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z Hysni Burgaj, ka nisur një procedim penal edhe për 6 persona të tjerë si iniciatorë dhe shkaktarë të kësaj dhune.

Sot vendimi i Disiplinës
Klubi i Laçit rrezikon nga pezullim fushe me tetë jave, deri në përjashtim nga kampionati. Referuar Kodit të Drejtësisë Sportive, mendohet se Komisioni i Disiplinës, i cili do të mblidhet ditën e sotme, do vendoset për dënimin ndaj klubit. Sipas nenit 66, klubet që dështojnë në përmbushjen e përgjegjësive, në rastin e shkeljeve të rënda dënohen me zhvillim të ndeshjeve pa spektatorë, zhvillim të ndeshjeve në fushë asnjanëse, si dhe përjashtim nga gara/kampionati.

© Panorama.al

Te lidhura