TIRANE – Çdo ditë në Tiranë regjistrohen mesatarisht dy raste dhune në familje. Gjatë këtij viti në sallën operative të Policisë së Tiranës rezulton të jenë kryer rreth 600 telefonata nga persona që denoncojnë dhunën në familje. Shumica e personave që ankohen në polici për këtë fenomen janë gra që dhunohen fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshortët, por nuk mungojnë edhe rastet kur prindërit dhunohen nga fëmijët e tyre. Statistika të tilla, që janë në rritje në krahasim me vitin e kaluar, nga specialistët e Seksionit të Dhunës në Familje në Polici, komentohet më shumë si një rritje e besimit të qytetarëve te policia, sesa si një shtim i rasteve të dhunës. Shkaqet kryesore që sjellin dhunën në familje, por edhe krimet që përfundojnë me vrasje në disa raste, rezultojnë të jenë problemet sociale, ekonomike, por edhe xhelozia mes bashkëshortëve. Të paktën në 3 raste krimesh në familje që kanë ndodhur në Tiranë gjatë këtij viti, motivi i ngjarjes ka qenë xhelozia. Tri gra janë vrarë nga bashkëshortët gjatë këtij viti, në shtator Servete Karoshi, ndërsa në nëntor, Jetlira Doçi dhe Arjana Serjani. Në të tre këto raste vrasjet kanë ndodhur pas debateve të ashpra për motive xhelozie nga ana e bashkëshortëve. Por edhe dy krime të tjera në familje rezultojnë të kenë ndodhur për shkaqet social-ekonomike. Në tetor regjistrohet vrasja e Kujtim Muçës, që është qëlluar nga pakujdesia nga i biri dhe Xhevdet Xhepa, që është goditur për vdekje nga vëllai i gruas së tij. Sipas burimeve nga Policia, mesatarisht në një ditë pesë gratë kërkojnë plotësimin e kërkesë-padive për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes nga gjykata, me arsyetimin se dhunohen fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshortët. Vetëm në dhjetë ditët e para të muajit dhjetor, Policia e Tiranës ka firmosur 17 kërkesë-padi për lëshimin e urdhër-mbrojtjes. Nga këto, 14 janë gra që dhunohen nga bashkëshortët, ndërsa 3 raste të tjera janë baballarët, kryesisht në moshë të thyer, që denoncojnë për dhunë djemtë e tyre. Burime nga Policia e kryeqytetit thonë se ka edhe raste kur burrat denoncojnë bashkëshortet e tyre për dhunë, por këto ngjarje janë sporadike. Gjatë gjithë vitit rezultojnë të kenë regjistruar 8 ngjarje të tilla.
3 vite
më parë policia shqiptare filloi aplikimin e urdhrave të mbrojtjes. Me anë të urdhrave të mbrojtjes, policia ruan anëtarët e familjeve që denoncojnë rastet e dhunës, duke kërkuar në gjykatë mbrojtjen e tyre











