“Dhuna e provokuar nga padrejtësitë”

May 18, 2011 | 10:44

Sulmuesi i Flamurtarit, Daniel Xhafaj, ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi pas ndeshjes me Skënderbeun, por sipas tij tifozëria vlonjate nuk duhet të paragjykohet nga ky episod dhune. “Shpresoj që ajo që ndodhi në fund të ndeshjes të mos merret si një pretekst për të dënuar klubin dhe tifozët. Kjo për arsye se  tifozëria vlonjate gjatë gjithë këtij kampionati ka dhënë shembull të mirë për të gjitha tifozëritë e tjera. Ajo që ndodhi pas ndeshjes ishte një situatë që u provokua nga padrejtësitë e shumta që i janë bërë Flamurtarit këtë sezon. E rëndësishme është se asnjë prej futbollistëve, si nga tanët dhe nga Korça nuk u lëndua rëndë, aq sa të rrezikonte edhe jetën. Jam i sigurt, se po të ishte bërë gjithçka me qëllim për të dëmtuar lojtarët  Skënderbeut, atëherë ajo që ndodhi s’ishte asgjë në krahasim me atë çfarë mund të bëjë realisht një tifoz vlonjat kur ia bën borxh. Duhet të jemi të qartë se tulla ndaj Vishajt (lojtarit të Skënderbeut), nuk është asgjë para gurëve që ne morëm në Ballsh, Krujë dhe Laç”, ka pohuar Xhafaj. Më tej sulmuesi pohoi se është e nevojshme që të ketë një marrëveshje mes klubeve dhe Federatës për të qetësuar gjendjen që është krijuar. “E vetmja mënyrë në të tilla raste është që të dyja palët, si klubi jonë dhe Federata të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi nuk do të ishte mirë që sezonin e ri ta nisnim në të njëjtën mënyrë. Këtu e kam fjalën për të evituar dënime, si ndeshje pa tifozë ose në fushë asnjanëse. Ndoshta me rregullore mund edhe të dënohemi, por ata që pësojnë më shumë janë tifozët, të cilët janë arsyeja kryesore që sot në Shqipëri ka një kampionat. E vetmja zgjidhje do të ishte që Fedarata të tregohej më e butë me tifozët tanë”, u shpreh Xhafaj. Edhe këtë sezon sulmuesi i Flamurtarit ka arritur të fitojë titullin si golashënuesi më i mirë i Superligës. Për goleadorin në aspektin personal ky fakt e gëzon, por natyrisht do të ishte akoma edhe më e bukur sikur ta kishte festuar bashkë me titullin kampion.

Besa/ Nisin firot, ikën trajneri Haxhiu

Gerd Haxhiu nuk është më trajner i Besës. Pas ndeshjes së fundit ndaj Tiranës, vlonjati ka komunikuar me Presidentin Nexhat Bizhdili dhe ka vendosur të largohet. “Kam folur me Presidentin dhe ramë dakord që misioni im të përfundonte këtu. E falënderova Bizhdilin për mbështetjen e madhe që më ka dhënë, por nuk ishte e thënë që unë të kisha sukses te Besa. Të gjithë e dinë se çfarë na ndodhi, por Zoti është i madh dhe ata që na rrëzuan, një ditë do ta pësojnë për vete. Lojtarë ne mund të ishim pretendentë për trofe dhe jo të diskutonim mbijetesën”, është shprehur Haxhiu.

Laçi/ Vashaku, testohet te Aris Limasol

Bledi Vashaku, portieri i Laçit, që prej pesë ditësh ndodhet në Qipro. Kapiteni bardhezi nuk kishte deklaruar asgjë në lidhje me udhëtimin e tij, nëse do të kishte ndonjë provë atje, apo do të udhëtonte për qejf. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai ka pohuar se po provohet tek Aris Limasol, skuadër kjo që militon në Kategorinë e Parë qipriote. Gjithashtu, Vashaku, pohon se ofertat nga jashtë nuk i kanë munguar që në fillim të sezonit, por gjithsesi, pranoi që të rikthehej përsëri në Laç. Deri më tani, portieri ka zhvilluar disa seanca stërvitore me skuadrën qipriote, por asgjë nuk është bërë publike nga ky klub.

© Panorama.al

Te lidhura