Dhoma e Përfaqësuesve miraton projektligjin për publikimin e më shumë emaileve lidhur me çështjen Epstein, Trump: Nëse votohet në Senat, do ta nënshkruaj

Nov 18, 2025 | 21:51

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi me shumicë votash projektligjin që parashikon publikimin e më shumë email-eve të lidhura me çështjen Epstein. Tani, fjala i kalon Senatit, i cili pritet të votojë pro ose kundër nismës.

epstein

Sipas CNN, rezultati i votimit ishte dërrmues: 427 vota pro dhe vetëm një kundër, ajo e përfaqësuesit të shtetit Luiziana, Klei Higins. Projektligji pritet tani të shkojë për miratim në Senat, ndërsa Presidenti Donald Trump ka deklaruar se, “nëse ai votohet, do ta nënshkruajë”.

Fillimisht, Trump ishte kundër publikimit të më shumë dokumenteve për çështjen Epstein, pasi dyshohet se ekzistojnë materiale elektronike që e përfshijnë edhe atë. Megjithatë, presidenti i 47-të i zgjedhur i SHBA-së duket se ka ndryshuar së fundmi qëndrim.

“Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve duhet të votojnë për zbardhjen e dosjeve të Epstein, sepse ne nuk kemi asgjë për të fshehur”, shkroi ai të dielën në një postim.

Pavarësisht kësaj, Trump vazhdon të mohojë çdo lidhje me financierin e dënuar për krime seksuale.

I pyetur nga një gazetar i ABC News, në lidhje me vizitën e princit të kurorës së Arabisë Saudite, bin Salman, në Shtëpinë e Bardhë, Trump reagoi me ton të ashpër:

“Nuk kam asnjë lidhje me Jeffrey Epstein. E përzura nga klubi im shumë vite më parë, sepse e konsideroja një të sëmurë të çrregullt, dhe mesa duket kisha të drejtë”, u shpreh presidenti i SHBA-së.

 

© Panorama.al

Te lidhura