TIRANE- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama ndau sot disa kujtime me studentë të Akademisë së Arteve në ambientet e Universitetit. Në përkujtim të “Ditës së Rinisë”, Rama solli përpara studentëve atë çfarë ndodhte në vitin 1989-1990 në ambientet e Akademisë së Arteve, kohë në të cilën ai ka qenë vetë protagonist.
Rama kujtoi se një nga momentet më kulminante i asaj kohe, ka qenë kur në sallën e Akademisë së Arteve, ku po mbahet dhe takimi, është folur për herë të parë për rishikimin e figurës së Enver Hoxhës.
Rama ka kujtuar për studentët edhe nënshkrimin e peticionit të parë; “aty, atë ditë u shkruajt edhe i pari peticion në historinë e tranzicionit, ku kërkohej rishikimi i figurës së Enver Hoxhës dhe lirimi i të burgosurve politik”, pasi sipas Ramës, për sa kohë kishte të burgosur politikë, nuk mund të quheshim një vend i lirë.
Kreu socialist, kujtoi gjithashtu edhe mosbotimin e këtij peticioni në shtypin opozitar të kohës (PD). Sipas tij, nga njëra anë mungonte vullneti dhe kurajoja e themeluesve të Partisë Demokratike dhe e atij që e uzurpoi PD-në, si dhe mungonte vullneti për të adresuar çështjen e të burgosurve politikë.
Në fund kreu socialist, duke pranuar se nuk kishte patur dëshirë të merrte këshilla në kohën kur kishte qenë student, ai gjithsesi dha një këshillë për studentët e pranishëm në takim.
Ju bëni si të doni, ju drejtua Rama studentëve, duke i ftuar ata të merren me politikë. Kreu socialist i ftoi të rinjtë të merren me politikë, secilin në formën e vet, rrugën e vet dhe sipas dëshirës, por pa e lënë atë të disponojë fatin tuaj, tha ai.
© Panorama.al











