Dhëndri i Trump i bashkohet ofertës së “Paramount” për gjigantin kinematografik “Warner Bros”! Oferta zyrtare shkon në 108 miliardë dollarë, NETFLIX jashtë loje

Dec 8, 2025 | 17:15

“Affinity Partners”, firma e kapitalit privat e drejtuar nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, po merr pjesë në përpjekjen “agresive” të Paramount, për të blerë gjigantin kinematografik “Warner Bros Discovery”, sipas një dokumenti të paraqitur pranë rregullatorëve amerikanë.

jared kushner

Përfshirja e Affinity rrit shanset që propozimi i Paramount të kualifikohet dhe të miratohet nga rregullatorët, sipas burimeve, duke e lënë përfundimisht jashtë loje Netflix, propozimin e të cilit Donald Trump e ka vënë në dyshim.

Paramount e ka çuar ofertën në 108 miliardë dollarë në cash.

Paramount, i udhëhequr nga David Ellison, u ka sinjalizuar drejtpërdrejt aksionarëve të Warner Bros. Discovery se oferta e saj ka një “rrugë më të lehtë” drejt miratimit rregullator. Kompania thotë se pjesëmarrja e Affinity Partners të Jared Kushner po ndihmon gjithashtu në forcimin e këtij argumenti.

Larry Ellison, babai i CEO-së së Paramount dhe një mbështetës miliarder i Donald Trump, është gjithashtu një lojtar kyç në paketën e investimeve që mbështet propozimin.

Ndërsa Affinity Partners nuk u përmend në njoftimin e Paramount për ofertën prej 108 miliardë dollarësh të hënën, prania e saj është e listuar në dokumentin e IPO-së. E njëjta paketë investimi përfshin gjithashtu fonde sovrane pasurie nga Arabia Saudite, Abu Dhabi dhe Katari, të cilat gjithashtu nuk u përmendën në njoftimin zyrtar të kompanisë.

warner bross

Sipas kushteve të ofertës publike, të gjitha palët pjesëmarrëse kanë rënë dakord të heqin dorë nga çdo e drejtë menaxhimi që mund të shoqërohet me investimet e tyre jo-juridiksionale, duke përfshirë përfaqësimin në bord.

Të gjithë investitorët morën pjesë gjithashtu në ofertën origjinale të Paramount për Warner Bros Discovery më 1 dhjetor, me përjashtim të vetëm të Tencent, e cila më pas u tërhoq nga konsorciumi.

Nëse blerja miratohet, kjo do të jetë marrëveshja e dytë e madhe në të cilën Kushner është përfshirë këtë vit, pasi më parë ka luajtur një rol kyç në marrëveshjen për të privatizuar kompaninë e videolojërave Electronic Arts.

© Panorama.al

Te lidhura