SHKODER – Policia e Shkodrës parandalon një duel që mund të çonte në viktima. Shkak është bërë konflikti mes një çifti bashkëshortësh dhe më pas ndërhyrja e babait të nuses. Menjëherë pas kësaj, vjehrri ka shkuar në shtëpinë e tij, ku ka marrë një automatik dhe është nisur për të vrarë dhëndrin. Në të njëjtën kohë edhe dhëndri kishte marrë armën në pritje të vjehrrit. Ndërhyrja në kohë e policisë ka bërë që të arrestohen në flagrancë shtetasi Zamir Kadria, 35 vjeç, si dhe vjehrri i tij 56-vjeçar, Xhevdet Xhufelaj. Në momentin e arrestimit, policia u ka gjetur nga një automatik në dorë secilit prej të arrestuarve. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 28 maj, rreth orës 23:40 në lagjen “Ahmet Haxhija”. Policia ka pohuar se ka arrestuar në kushtet e flagrancës shtetasit Zamir Kadria dhe vjehrrin e tij Xhevdet Xhufelaj, duke parandaluar një vrasje të sigurt me pasoja të rënda. Sipas informacioneve nga Drejtoria e Policisë, mësohet se pak para mesnatës shërbimet policore kanë marrë informacion se në lagjen “Ahmet Haxhia”, në banesën e shtetasit Zamir Kadrija ka një grindje. Grindja fillimisht ka lindur mes Zamirit dhe bashkëshortes. Ndërkohë që në banesën e Zamirit ka mbërritur edhe vjehrri i tij, i cili i ka kërkuar shpjegime dhëndrit se përse po ia rrihte vajzën. Më pas, ka nisur grindja mes dhëndrit dhe vjehrrit. Gjatë kësaj grindjeje, Zamiri e ka goditur dhe e ka rrahur edhe vjehrrin e tij. Ky i fundit, i gjakosur dhe duke mos e duruar atë që dhëndri i kishte bërë atij dhe së bijës, është nisur në drejtim të banesës së tij, ku ka marrë një armë tip automatik me 20 fishekë dhe është nisur për të qëlluar në drejtim të dhëndrit të tij. Duket se 35-vjeçari e ka nuhatur situatën dhe ka nxjerrë një tjetër automatik duke pritur i armatosur vjehrrin e tij në derë të shtëpisë. Xhufelaj e ka mbushur armën sapo ka mbërritur në apartamentin ku jetonte familja e vajzës, por aty është ndeshur me forcat e policisë. Policët kanë ndërhyrë menjëherë duke ia marrë automatikun nga dora Xhevdetit. Ndërkohë që ata kanë hyrë në banesën e dhëndrit të Xhevdetit, kanë parë që edhe Zamiri ishte i armatosur me një automatik me fishek në fole dhe ishte në pritje të vjehrrit. Policia ka bërë ndalimin e të dy shtetasve, dhëndër e vjehërr dhe ndaj tyre ka ngritur akuzat për veprat penale të “vrasjes me dashje, e ngelur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Njëkohësisht, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automatikë model 54 dhe 47 fishekë. r.d











