Devis Xherahu: Jam ndarë nga gruaja, vargjet e Jorgo Papingjit ishin profetike

Dec 3, 2011 | 14:24

Një çift artistësh të martuarish që i kënduan ndjenjës së fortë, pas një ndarjeje në dashuri. Në festivalin “Kënga Magjike”, Devis Xherahu, i cili prej me shumë se 10 vitesh po bën karrierë si këngëtar në Athinë, kësaj here këndon muzikën e bashkëshortes së tij pianiste, Paola Kondakçi, e cila iu rikthye pasionit të saj të kompozimit, qëkur ishte studente. Por në natën finale të “Kënga Magjike”, Devis Xherahu, edhe pse u përpoq ta mbante sekret, u ngjit në skenë biond dhe me statusin “i divorcuar”. Pas lançimit të këngës në të dielën e parë të “E diela Shqiptare”, shumë pyetje iu bënë atëherë Devisit, se përse dy të martuar vendosin të bëjnë një këngë të dhimshme për ndarjen. Tashmë për gazetën “Panorama” Devisi pohon se: “Në fakt ishte hera e parë që konkurroja në festivalin “Kënga Magjike”, dhe kjo ishte hera e dytë që bashkëpunoja me ish-bashkëshorten time. Ajo e kishte krijuar këtë muzikë pak muaj para festivalit, mua më ngjiti dhe i kërkova Jorgo Papingjit të bënte tekstin. Ai sapo e dëgjoi muzikën baladë, u frymëzua për një fabul ndarjeje, dhe mund të them se vargjet e tij kanë qenë profetike në këtë rast”. Por Devisi nuk pranon të japë asnjë detaj në lidhje me arsyen e ndarjes. Ai sapo ka përfunduar klipin e këngës “Akoma s’e besoj”, ku këndon me këngëtarin e italian, Andrea del Principe, ndërsa imazh është Miss Shqipëria 2009, Ertemiona Mejdani. Pas ndarjes, Devisi pothuajse është zhvendosur në Tiranë, pas një karriere 10- vjeçare në Greqi. Ndërsa Paola është pedagoge pianoje në Universitetin e Athinës dhe këtë këngë e shkroi dy muaj para fillimit të festivalit, posaçërisht për “Kënga Magjike”.

© Panorama.al

Te lidhura