Devis Muka: “Unë, ministri që u ngjita në pushtet falë gruas sime”

May 14, 2011 | 12:19

Devis Muka është aktori kryesor në rolin e një ministri, ndërsa tymos një çibuk. Ai tregon përshtypjet, që kur ka nisur provat, që me ironi thotë që po e përjeton njësoj si një politikan në karrige.
Si është të flasësh për politikë në teatër, si po ndihesh si ministër në detyrë?
Në një situatë të tillë që po përjeton Shqipëria, të flasësh dhe në art për politikën, bëhet pak bajat, por në mënyrën se si do flasim, ju siguroj që publiku do vijë me një uri të madhe për të parë pas- kuintat e jetës politike, sepse politika e vërtetë s’bëhet as në mitingje, as në konferenca për shtyp, as në mbledhje qeveritare, por në sallone dhe kuzhinën e politikanëve. Një gjë interesante është që politikën e vërtetë e bën gruaja e politikanit, jo vetë politikani.
Personazhi yt çfarë tipi përfaqëson, është e vështirë të luash politikanin?
Personazhi im është interesant, sepse është personazh i bardhë që përpiqet të rrijë afër njerëzve të tjerë për të marrë ngjyra nga të tjerë që e rrethojnë. Ai arrin të bëhet një ministër, në sajë të gruas së tij, pra me anë të këtij makinacioni arrin të ngjisë shkallët dhë të shkojë aty lart. Për sa i përket vështirësisë, nëse do ta kthenim në realitetin shqiptar, është shumë e lehtë ta bësh politikani shqiptar, por politikanin anglez të rafinuar që bën lloj-lloj intrigash dhe skemash për të arritur aty ku do, është vërtet e vështirë. Mes një politikani të BE-së dhe një politikani të Ballkanit ka një ndryshim të madh.
Është një politikan më pervers sesa një artist apo e kundërta?
Në Shqipëri, i vetmi moment që ne jemi të fituar si artistë është perversiteti. Për sa i përket anës monetare, përkrahjes që politika i bën artit, ne jemi shumë të varfër, por perversitetin s’e kemi problem, jemi shumë të lirshëm ta bëjmë.
Çfarë ka ndryshuar në fantazinë tënde  këto ditë që je bërë ministër?
Ditën e parë që kam marrë rolin e ministrit, direkt i thashë regjisorit se dua të jem ministër kulture, sepse në shfaqje nuk specifikohet posti i ministrit. Dua të jem i tillë, sepse Shqipërisë i mungon një ministër aktor, apo një ministër Kulture me kulturë.
Ku ndahen dhe ku takohen artisti me politikanin?
S’kam njohur ndonjë politikan në jetën time, të paktën si e shoh unë politikanin. Artistë njoh shumë dhe fatkeqësia jonë është se kemi shumë politikanë që sillen si artistë dhe shumë artistë që duhet të sillen më shumë si artistë dhe më pak si politikanë.
Ti do i hyje politikës?
Me këtë shfaqje që po bëj, unë tashmë i kam hyrë politikës.

© Panorama.al

Te lidhura